Atalanta udhëton nesër drejt Bolonjës për t’u përballur me vendasit e Filipo Inzagit. Trajneri Gasperini ka folur në konferencën për shtyp, duke konfirmuar Etrit Berishën në formacionin titullar.
“Do të luajë Berisha”, shprehet shkurt Xhan Piero Gasperini, kur pyetet për balotazhin e portës Berisha-Golini. Ndeshja e dytë rresht në formacion me Atalantën për 29-vjeçarin e kombëtares kuqezi, i cili kishte humbur vendin e titullarit në fillimin e sezonit.
Berisha u aktivizua në fitoren 3-0 kundër Parmës, duke zhvilluar një ndeshje të mirë dhe mbajtur portën të paprekur. Një gjë e tillë është vlerësuar nga Gasperini, i cili ka vendosur të vazhdojë me shqiptarin në portë dhe në ndeshjen e radhës kundër Bolonjës.