Besar Musolli la fushën e lojës i dëmtuar në përballjen me Teutën. Ndonëse nuk u mendua se kishte diçka serioze, rezonanca magnetike ka sjellë një lajm mjaft të keq për mesfushorin nga Podujeva, por dhe të gjithë kuksianët. Zëvendëskapiteni ka dëmtuar ligamentin dhe do t’i nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale.
Në të tilla kushte, 29-vjeçari do të mungojë për disa muaj dhe në fushë mund të rikthehet afër muajit mars. Një problem jo i vogël ëpr Armando Cungun, i cili humbet një prej lojtarëve me më shumë eksperiencë dhe që është konsideruar gjithnjë si një nga shtyllat e ekipit.
Shumë shpejt Musolli do t’i nënshtrohet operacionit, që të nisë sa më parë fazën e rikuperimit. 29-vjeçari është i vetmi lojtar i cili luan tek kuksianët që në kohën kur verilindorët u ngjitën në Kategorinë Superiore, duke arritur që të fitojë të gjithë trofetë e mundshëm. Po ashtu mesfushori është grumbulluar dhe me përfaqësuesen e Kosovës në disa ndeshje zyrtare. Të gjithë në Kukës urojnë që ta kenë sa më parë të gatshëm zëvendëskapitenin e tyre.