Skuadra e Lacios pagoi plot 7.6 milionë euro për të siguruar kartonin e mesfushorit të Kosovës, Valon Berisha, por në sezonin e tij të parë me fanellën laciale, 26-vjeçari bëri një sezon për t’u harruar. Në 2018-19, Berisha luajti vetëm tetë ndeshje në Serie A, për shkak edhe të dëmtimeve të shumta.
Te Lacio duket se kanë humbur durimin dhe janë gati ta lënë të lirë mesfushorin, por vetëm në formë huazimi. Siç raportojnë mediat italiane, Berisha mund të rikthehet te ish-skuadra e tij, Red Bull Salcburg në formën e huazimit 1-vjeçar.
Te skuadra austriake, Berisha do të gjejë një vend titullari, si dhe do të ketë mundësinë të luajë në Champions League. Mbetet për t’u parë nëse mesfushori i “Dardanëve” do të pranojë të rikthehet në Austri ose nëse do të qëndrojë e të luftojë për një vend titullari te skuadra e Serie A.