Bruno Telushi ishte autori i golit të fitores për Partizanin në ndeshjen me Kamzën. Mesfushori vlonjat ishte përzgjedhur sot për të dal para mediave së bashku me trajnerin Skënder Gega, ndërkohë që ka folur disa çështje.
Fillimisht u ndal te goditjet e dënimit, për të vijuar më pas me takimin kundër Kastriotit në kryeqytet, si dhe për objektivin titull.
A do të merrni përsipër goditjet standarde?
Gjatë lojës më pëlqen të godas, ndërsa në ekip ka lojtarë që godasin shumë mire, thjesht duhet të kërkojmë sa më shumë faullet në zonën e fundit të fushës. Ekipi ka shumë lojtarë që godasin mirë dhe duhet t’i shfrytëzojmë.
Sa e rëndësishme është ndeshja kundër Kastriotit për të fituar qetësinë e duhur, duke e lidhur dhe me faktin se kampionati do të jetë një javë pushim?
Kjo ndeshje është shumë e rëndësishme. E kemi vlerësuar ashtu si duhet, pasi nuk e mendojmë aspak të lehtë. Gabuam me Kamzën, pasi u paraqitëm dobët në pjesën e parë. E kemi vlerësuar shumë Kastriotin dhe nuk do të bëjmë gabime.
A mendoni se ekipi është më i fortë se ai i sezonit të kaluar duke parë dhe afrimet e largimet në merkato?
Nuk më takon mua të them se kush është më i mirë ky ekip, apo ai i vjetshmi. Duhet të them që lojtarët që kanë ardhur duhet të japin maksimumin dhe të shkojë gjithçka mirë.
A ju mungon titulli kampion dhe a është ky viti i duhur?
Më mungon shumë titulli. Kam ardhur te Partizani për ta fituar dhe do e kërkoj. Nëse gjërat shkojnë mirë siç po shkojnë tani, mendoj se jemi në rrugën e duhur.