Keilor Navas, edhe pse arrin që me Realin e Madridit të korrë suksese në arenën ndërkombëtare, çdo verë i vihet në dyshim vazhdimësia e tij me spanjollët. Sigurisht që ai nuk ndihet mirë për këtë, por sërish ka vijuar të punojë dhe deri sa të vijë një tjetër “gardian” do të mbetet numri një në skuadrën e drejtuar nga Lopetegui.
Prej kohësh është lakuar De Gea si dëshira kryesore e Real Madrid për katërkëndëshin, por së fundmi është rikthyer opsioni Tibot Kurtua. Belgu ka edhe një vit kontratë me Çelsin dhe transferimi i tij në Madrid mund të mbyllet brenda javës për shumën e 35 milionë eurove, sikurse raporton “Marca”. Me siguri tifozët e Atletiko Madrid nuk do e presin mirë këtë lëvizje.
Kurtua u shpall portieri më i mirë i turneut në “Rusi 2018” dhe Belgjika u ndal në fazën gjysmëfinale nga Franca, që më pas ngriti trofeun. Sa i takon Navas, me shumë gjasa ai do të qëndrojë dhe këtë e ka shprehur që në muajin prill. Portieri i Kosta Rikës ka kontratë deri në vitin 2020 dhe do ta respektojë atë.