Kupa, ose finalja e të dëshpëruarve

1

Olsi Avdiaj

Fati e verdiktet e këtij fundsezoni kanë qenë mizorë për Tiranën dhe Skënderbeun, dy finalistët e Kupës së Shqipërisë! Bardheblutë për herë të parë pas 78 kampionatesh luajnë në Kategorinë e Parë, ndërsa Skënderbeu gjashtë herë kampion resht, dorëzon titullin te Kukësi. Një ndeshje ku dëshpërimi është më i madh se “malet” e Tiranës dhe Korçës bashkë. Ose më saktë, ndeshja e sotme është dueli për të shpëtuar fytyrën nëse mund të thuhet kështu, por kjo pak ka gjasa të ndodhë. Sepse Tirana dhe Skënderbeu në kampionat janë turpëruar.

Tirana – Në një anë janë bardheblutë, që nuk kanë vrimë ku të futen prej 27 majit 2017. Kanë rënë nga kategoria dhe me Kupën kërkojnë të lajnë pisllëkun që kanë në fytyrë. Por do t’ia dalin? Nuk e di askush. Gjendja është e qetë në dukje, por rrënuese nga brenda. Janë të gjithë të fikur dhe duhet të marin kurajë nga thellësia e shpirtit, për të fituar Kupën. Do të jetë e paimagjinueshme, sepse realisht ekipi i Josës është më shumë se i shkatërruar. Nuk ka mungesa në grup(veç Muçës), por problemi është reagimi pas goditjes së Shkodrës. Vetëm një magji, mund ta bëjë, që skuadra të fitojë në fushën e lojës. Një bast për Josën, Halilin dhe skuadrën, që gjithsesi edhe nëse fiton Kupën, vetëm lehtëson pak dhembjen, por turpi u mbetet në jetë të jetëve. Tirana është në Kategorinë e Parë.

Skënderbeu – Edhe te Skënderbeu janë të rrënuar. Nuk janë fitues të kampionatit pas gjashtë viteve dominim total. Dhe nëse nuk fitojnë as Kupën, skuadra më e madhe e viteve të fundit zyrtarizon dështimin në këtë sezon të mallkuar. Me një re të zezë mbi kokë dhe “sopatën Disiplinë-Etikë”, Skënderbeu vjen i rrënuar në këtë sfidë. Duhet të ngrejë kokën dhe të reagojë. Etika ka preferuar që të japë vendimin e saj pas epilogut të sezonit, që pret dhe finalen e Kupës së Republikës mes Skënderbeut dhe Tiranës. Këto janë dy skuadra të përfshira në mënyrë të drejtpërdrejtë, pasi në rast të zbritjes së Skënderbeut, ka shumë mundësi të përfitojë Tirana, që ra nga elita për herë të parë në histori. Veç çështjes së Etikës, tek Skënderbeu problemet janë nga më të ndryshmet. Sabien Lilaj është i dëmtuar, por mesfushorit, Malajt dhe Abazajt dje i është shtuar edhe Orelesi. Këtu nuk futen në llogari Osmani-Salihi, të cilët e kanë mbyllur këtë sezon dhe atë pasardhësin me dënimin e disiplinës. Shkurt, masakër nga Skënderbeu, me një skuadër të gjunjëzuar nga goditjet e fundit.

Duelet – Janë shumë ata që duelojnë me njëri-tjetrin brenda në fushë. Që nga Josa e Daja, më pas Muzaka e me radhë. Dhe sigurisht në mes edhe kunji i ndeshjes së fundit të fituar me hile nga “Skënderbeu”. Në fund dy fjalë edhe për presidentët. Takaj dhe Halili. Njëri triumfues në një krah, por këtë sezon skema e tij nuk shkoi dhe tjetri i dëshpëruar, sepse gjërat prej tre vitesh nuk shkojnë mirë. Shkurt do të jetë finalja e zisë, e të dëshpëruarve, që kërkojnë të lajnë mëkatet me Kupën e Shqipërisë. Por a do t’ia dalin…Takimi është në orën 19:00.

You might also like
1 Comment
  1. Endri KO says

    Te luash ne kategorine e dyte (qe FSHF i thote kategori e pare) nuk eshte turp a balte ne fytyre. Turp eshte te mos kesh identitet apo te perfaqesosh ate cfare moralisht eshte e papranueshme. Tirana perfaqeson kryeqytetin, pavaresisht se me cfare cilesie e ne cilen kategori. Po ashtu, edhe Korca nuk ka pasur kurrfare sezoni “te mallkuar”. U perpoq, nuk ia doli. Eshte ne Kupat e Evropes dhe ka ende suksese per te shijuar. S’ka vend per teprime. E deshtuar eshte vetem F$HF, qe ka ndertuar nje skeme qe mban ne kategori te dyte (qe i thote e pare) ekipe se Lezha qe eliminoi Partizanin e arriti gjer ne gjysmefinale, apo qe tani zbret nga kategoria e pare (qe i thote superiore) ekipin finalist te Kupes. Per me teper kur thote se kjo na qenka skema me e mire, pasi nuk paskesh pasur aleanca, tregon edhe se i merr njerezit per syleshe. A thua se nuk e pa kush qe Laci u lodh shume per te fituar me Durresin! A thua se Korabi u mundua shume te ndalte Vloren! Keta jane te deshtuarit. Lenia e klubeve elitare jashte kategorise se pare (qe i thote superiore) dhe rrezikimi me te njejtin fat i Vlores, Shkodres, Durresit, eshte vec deshtim i FSHF-se dhe i kurrkujt tjeter.

Leave A Reply

Your email address will not be published.