Skuadra e Kukësit duhet të reagojë pas asaj humbjeje kundër Tiranës, që goditi jo pak shpresat e verilindorëve për titullin kampion. Në sfidën përballë bardhebluve, përveç humbjes, Cungu humbi dhe një titullar për shkak kartonësh.
Bëhet fjalë për mbrojtësin Olsi Teqja, që nga Kukësi është aktivizuar në krahun e djathtë të mbrojtjes. Që pas transferimit nga Kamza, Teqja ka qenë një lojtar i rëndësishëm për Kukësin, duke u aktivizuar në çdo sfidë.
Kundër Tiranës, mbrojtësi mori kartonin e katërt të verdhë dhe do të mungojë përballë Teutës. Cungu duhet t’i bëjë planet pa të, por ka një lajm të mirë, pasi Edis Maliki është rikthyer nga dëmtimi dhe me shumë gjasa, 23-vjeçarit do t’i besohet krahu i djathtë i mbrojtjes.