Sekretet e “Maces së zezë” Cana: Kujtimet, pengu, betejat dhe kundërshtari më i vështirë në Angli

Lorik Cana ka provuar të luajë në Francë, Itali, Turqi dhe Angli. Padyshim Premier Liga ka qenë kampionati më i fortë ku është aktivizuar “luftëtari”, i cili tashmë e ka mbyllur me futbollin e luajtur. Ai mbrojti ngjyrat e Sanderlendit dhe rikthen në memorie shumë gjëra në intervistën e dhënë për “ROKER RAPPORT”.

Cana tregon sekretin e forcës së tij, ndeshjen më të mirë dhe kundërshtarin më të fortë. Mes  të tjerash ai zbulon edhe një episod në dhomat e zhveshjes. Nuk mund të mos flitet për vitet e luftës në Kosovë dhe si ndikoi ajo periudhë në karrierën e tij.

PËRGATITI: FLORIAN ALLA

Lorik, faleminderit që gjetët kohë për të diskutuar me ne për eksperiencën tuaj me Sanderlendin. Ta fillojmë me një pyetje të lezetshme dhe të lehtë. A është e vërtetë që ti mund ta bësh të pamundurën të mundur?
-(Qesh). Përgjigja është gjithnjë e njëjtë: gjithmonë përpiqesh të mos kesh limite. Forca më e madhe e dikujt qëndron gjithmonë tek ajo që mendoni se mund të arrini. Edhe nëse mendoni se është e vështirë, varet nga mënyra se sa shumë përpiqesh.

Nuk është gjithçka rreth forcës fizike, ka të bëjë me atë që keni në mendje dhe zemrën tuaj. Duhet të provoni të mos keni limite. Jini realistë, tregohuni të zgjuar dhe kur përpiqeni të arrini synimet tuaja atëherë në performancën tuaj mendja dhe zemra do të bëjnë diferencën.

Kurë u bëra pjesë e kampionatit anglez dhe veçanërisht e Sanderlendit, arrita të ndjej se përse ishte ajo lidhje aq e fortë midis njerëzve. Mentaliteti i skuadrës përputhej me mentalitetin e popullatës në verilindje të Anglisë.

Të flasim për gjëra më serioze. Na flit pak për fëmijërinë tënde. Me sa di, ju keni ikur nga Kosova në një moshë shumë të vogël për shkak të luftës. Më pas u vendosët në Zvicër. Si ishte jeta tuaj atje dhe si ndikuan ato që përjetuat në fëmijëri në formimin tuaj si futbollist?
-Shumë. Mendoj se kam folurpaksa për të shkuarën time kur isha pjesë e Sanderlendit. Unë nuk isha i vetmi që u rrita në atë lloj mënyre. Edhe sot shikojmë që ka shumë konflikte nëpër botë. Atëherë po ndodhnin në Ballkan dhe shumë shqiptarë u detyruan të lënë vendin e tyre. Nuk e dëshironim largimin, por nuk mund të qëndronim ashtu si po shkonin gjërat . Donim një të ardhme më të mirë dhe një situatë më të mirë. Nuk e zgjodha vetë të bëhesha futbollist. Babai im ka qenë një futbollist dhe ai dëshironte që dhe unë të luaja. E kisha pasion futbollin dhe kisha pak cilësi. U mundova të ndiqja hapat e tij dhe mendoj se kam bërë mirë.

Të jem i sinqertë, nuk e di nëse do kisha një karrierë të ngjashme po të qëndroja në Kosovë, pasi shumë shqiptarë të tjerë ishin po aq të mirë sa unë, disa ndoshta më mirë, por nuk kishin mundësitë që m’u dhanë mua në Zvicër. Kushte të mira stërvitore dhe trajnerë të kualifikuar.

Në fillim të viteve ‘90 nuk po mendonim shumë për futbollin. Të gjithë e kishim mendje te familjarët tanë, situata ishte shumë e rrezikshme. Por në një aspekt tjetër ato kohëra na bënë më të fortë. Ndjen një përgjegjësi, diçka që të bën të japësh ndihmën tënde. Kur luan, nuk mendon vetëm për veten, por edhe për të bërë familjen krenar për ty. Ato kohëra kanë ndikuar shumë tek unë, jo vetëm si lojtar, por edhe si person do thosha.

Ju ishit blerja e parë e Stiv Brus (trajneri) te Sandërlendi. Ardhja e një lojtari me statusin tuaj gëzoi shumë tifozë. Por, çfarë ju bindi që të vazhdonit karrierën tuaj atje?
-Në verën e 2009-ës unë e dija se nuk do vijoja më te Marseja, pasi në atë periudhë u largua presidenti me trajnerin dhe unë e kisha vendosur se do ikja po të largoheshin ata të dy. Pata shumë oferta nga Gjermania. Arsen Venger tregoi interes për mua, Evertoni gjithashtu.

Më pas ishte dhe Sandërlendi, klub që e njihja, për identitetin dhe historinë që ka. Fola me trajnerin e atëhershëm, Stiv Brus, dhe ai më shpjegoi sa i madh ishte ky klub dhe rolin që do kisha unë te projekti e tij. Premier Liga është kampionati më i mirë në botë, Sandërlendi nuk ishte në nivelet e Arsenalit, por ishte klubi ideal për mua. Kjo pasi mund të luaja çdo javë dhe të kisha mbështetjen e një tifozerie të një klubi me vlera dhe identitet, qe unë e vlerësoja së tepërmi.

Me Katermol formonim një dyshe mjaft të fortë fizikisht në mesin e fushës dhe trajneri Brus na përgatiste shumë mirë, duke luajtur futboll me intensitet të lartë, kompakt, me presion mbi kundërshtarin. Kishim lojtarë të shkëlqyer dhe kur ishim të gjithë në fushë, ishim skuadër për 7-8 vendet e para. Problemi është se nuk kishim stol shumë cilësor dhe dobësoheshim shumë nëse mungonin emra si Bent, Katermol, Riçardson apo Henderson.

Le të flasim për ndeshjen ndaj Liverpulit (Sanderlend fitoi 1-0 ). Ç’kujtoni nga ai takim dhe si vlerësoni paraqitjen tuaj në atë 90-minutësh?
-Ka disa ditë që ndihesh në gjendje të përkryer përsa i përket aspektit fizik, ndërkohë edhe skuadra luan mirë. Atë ndeshje e fillova në mesfushë. Po luaja mirë, por nuk është se dalloja nga të tjerët. Humbëm një qendërmbrojtës dhe u detyrova ta zëvendësoj. Liverpuli na vuri në presion duke futur shumë topa në zonën tonë dhe unë ndjeva një përgjegjësi për të udhëhequr skuadrën në ato momente. Mund të kishte qenë një fitore shumë më e lehtë për ne, pasi Bent dhe Kenuajn Xhons goditën shtyllën. Ishte një fitore e jashtëzakonshme dhe një ndër ndeshjet më të mira të karrierës sime. Ndjeva një lidhje shumë të fortë me tifozët gjatë asaj ndeshjeje, ishte magjike.

Ç’mendim ke për këngën që këndonin tifozët për ty?
– Më kujtohet që nisën ta këndonin pas ndeshjes së dytë apo të tretë. Po të tregoj diçka që nuk e kam treguar kurrë: mbërrita në korrik në Sandërlend dhe po luanim një miqësore në Skoci, fituam 2-1 ndaj Seltikut. Unë e nisa nga stoli dhe luajta 10-15 minutat e fundit. Shkova të bëj nxehjen pranë tifozerisë së Sandërlendit dhe ishte një pritje e jashtëzakonshme, tifozët vlonin, me kore dhe duartrokitje.

Ndihmëstrajner ishte Erik Blek dhe fliste frëngjisht. Më tha “alamet pritje!”, ndërsa iu përgjigja “Mos u shqetëso, mik, sepse do t’u jap tifozëve 100% më shumë nga sa presin prej meje”. Ishte një ndër pritjet më të bukura në karrierën time dhe e kuptova që do kisha një marrëdhënie të shkëlqyer me tifozët.

Kam dëgjuar se në përfundimin të ndeshjes ku u vlerësove me çmimin “Njeriu i ndeshjes”, mbajte një fjalim që gati e përloti presidentin e klubit Najëll Kuin. A është e vërtetë kjo?
-E mbaj mend fjalimin që dhashë pasi m’u dha çmimi. Presidenti Najëll Kuin ka qenë gjithmonë një person që u qëndronte pranë lojtarëve, tifozëve dhe klubit. Ai dinte shumë mirë se çfarë dashurie kishin njerëzit për klubin. Kur po flisja, atë e kisha mbrapa, por nëse ka pasur emocione, besoj se ato do i ketë pasur për shkak se bëmë krenarë tifozët, jo prej paraqitjes sime ose prej çfarë u thashë lojtarëve.

Kundërshtari më i fortë që hasët gjatë sezonit tuaj të vetëm në Angli?
-Të tregohem i sinqertë, kur isha në formë, në aspektin fizik nuk kisha kundërshtarë superiorë. Më pas pata një problem në gju dhe skuadra vuajti  gjatë janarit. U vura përballë disa lojtarëve të mëdhenj, si Frenk Lampard dhe Stivën Xherard, por të jem i sinqertë kundërshtari më i fortë me të cilin kam hequr keq, madje dhe në aspektin fizik, ka qenë Emil Heski. Ai ishte jashtëzakonisht i fortë, i tmerrshëm. Mora karton të kuq atë natë, për dy kartonë të verdhë, u mundova ta shtyja Heskin dhe e pata të pamundur – ishte shumë i fuqishëm!

Kalimi te Gallatasaraj, vërtet ishte vetëm për arsye familjare, apo sepse klubi nuk kishte ambicie përveç mbijetesës?
– Unë them gjithnjë atë që mendoj, ndershmëria është kryesorja, edhe nëse e ke gabim. Në atë kohë isha i ri, isha kapiten i klubit dhe isha krenar për këtë gjë, por po të isha i martuar dhe të kisha njerëz rreth meje, nuk do isha larguar.

Shijoja çdo moment në fushë, por në aspektin privat ishte mjaft e vështirë për mua. Më dukej se më mungonte diçka në jetën private, po të kisha pasur grua e fëmijë dhe ta kisha familjen në Sandërlend do ishte shumë e lehtë. Nuk mendoja se do të largohesha, po përgatitesha për sezonin tim të dytë, por kur u ktheva nga pushimet gjeta në tryezë ofertën e Gallatasarajit. Gjithnjë do kisha dashur të luaja atje, por nuk e prisja të shkoja aq i ri. Oferta ishte e mirë, do luaja futboll ndërkombëtar dhe familja ishte më pranë, ndaj pranova, por nuk ishte e lehtë.

Kujtimi më i mirë nga koha me Sandërlendin?
– Janë shumë, të them të drejtën. Pritja e tifozëve në Celtic Park, e pabesueshme si më pritën, edhe pse nuk më kishin parë ende me fanellën e klubit.

Ndeshja e parë në Bolton, 5000 tifozë kishin udhëtuar me ne. Po ashtu, njerëzit ishin gjithnjë të sjellshëm e të këndshëm kur zbrisja në fushë në stadiumin tonë, apo edhe kur dilja nëpër qytet. Pikërisht eksperienca me njerëzit në Sandërlend e bënë atë eksperiencë fantastike.

Ndonjë peng?
– Nuk e di a është peng, por do doja të kisha luajtur më shumë ndeshje ne futbollin anglez, sidomos në Stadium of Light.

Edhe tani, pas një dekade, tifozët të kujtojnë me respekt.
– Ndoshta për shkak të shpirtit tim luftarak, të luajturit me zemër. Në Angli, por sidomos në verilindje, njerëzit e vlerësojnë shumë shpirtin luftarak, kjo ndoshta na ka lidhur më shumë.

Si do ta përshkruanit kohën tuaj me Sanderlendin me tri fjalë ?

– Pasion, identitet dhe dashuri. Është e vërtetë që kjo gjë mund të thuhet për shumë klube, por për Sanderlendin këto fjalë mund t’i thuash lehtësisht, nëse më kuptoni se ç’dua të them.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online