Mbrëmja e së dielës do të jetë e gjitha për derbin Inter-Milan. Një ndeshje të tillë nuk do ta humbasë as Roke Zhunior, ish-mbrojtësi i kuqezinjve. “Sigurisht që do ta ndjek, është një ndeshje speciale”, ka thënë mes të tjerave braziliani, i cili ka qenë prezent në fitoren 6-0 të Milanit në derbin e vitit 2001.
42-vjeçari brazilian është ndër të paktët futbollistë që kanë fituar Kupën e Botës, Champions Ligën dhe Kupën Libertadores. Roke Zhunior vjen në një prononcim për “tuttomercatoweb”, ku i rikthehet kujtimeve të bukura, flet për atë me çfarë po merret aktualisht dhe tregon objektivat e së ardhmes.
INTER- MILAN (0-6) – “Është një nga momentet më të bukura si futbollist i Milanit. Një derbi shumë i vështirë për t’u përsëritur. I shtypëm, nuk u lamë asnjë shans.”
GJYSMËFINALET NË CHAMPIONS – “I mbaj mend ato ndeshje dhe presioni ishte edhe më i madh se ndeshjet klasike Milan-Inter në kampionat. Kur po ofroheshin ndeshjet gjysmëfinale të Champions-it kundër Interit, gjithkund ndihej atmosfera e këtyre ndeshjeve.”
MILANI I VITEVE TË FUNDIT – “Po, i kam parë problemet e viteve të fundit, teksa Berluskoni nuk po investonte si dikur. Është e çuditshme të shohësh një ekip që arrinte në finalet e Ligës së Kampioneve, të mos marrë pjesë më pas. Ata mund të ndryshojnë. Tani është një tjetër investitor, gjithashtu në klub kanë shkuar Leonardo dhe Maldini. Ata mund të përçojnë frymën e Milanin. Ata kanë fituar shumë me atë fanellë dhe kjo mund të bëjë diferencën. Përveç investimeve, që janë të domosdoshme.”
PARASHIKIMI – “E vështirë të thuash se kush do të fitojë, sepse është më shumë se një ndeshje. Kjo përballje krijon një atmosferë ndryshe, presioni mbi lojtarët është i ndryshëm dhe ju siguroj që lojtarët e ndjejnë shumë. Ka shumë komponentë që përcaktojnë fituesit e kësaj ndeshje.”
PAKETA – “Kur Kaka erdhi në Itali ishte pak i njohur dhe filloi të bënte menjëherë gjëra të mëdha. Paketa është një lojtar me cilësi dhe ka arritur të sigurojë kombëtaren. Luan me Flamengon, një nga klubet më të mëdha në Brazil, që merr pjesë në Kupën Libertadores. Paketa është mësuar me presionin, por unë e shoh si një blerje për të ardhmen e Milanit. Duhet t’i japim kohën e duhur për t’u përshtatur dhe ai do të japë shumë për kuqezinjtë. Dua të shtoj diçka: më mirë të shpenzosh tani 35 milionë euro për të, sepse rrezikon të mos arrish ta marrësh pas një viti.”
KRAHASIMI ME KAKA – “Nuk mendoj se është e drejtë t’i krahasojmë si lojtarë. Ata të dy kanë histori të ndryshme. Mund të them vetëm që Paketa mund të bëjë shumë mirë.”
ARDHJA TE MILAN – “Luaja me Palmeiras, klub që kishte një partneritet me Parmalat, kështu që kisha mundësinë të transferohesha te Parma. Për mua u interesua dhe Milan, kështu që u bëra pjesë e kuqezinjve, ku qëndrova për tre sezone.”
BILANCI KUQEZI – “Kalova tre vite fantastike, nuk i harroj kurrë. Kam përfituar nga fakti që atë periudhë kishte shumë brazilianë në ekip. Kam patur mundësinë të luaj me kampionë të mëdhenj dhe fitova Champions Ligën dhe Kupën e Italisë. U largova sepse dëshiroja të luaja më shumë. Kam vetëm kujtime të bukura nga Milani, asnjë keqardhje.”
FINALJA E CHAMPIONS 2003 – “Një nga kujtimet më të bukura të karrierës time. U futa në lojë gjatë ndeshjes, u dëmtova, por nuk mund të dilja jashtë, sepse kishin mbaruar ndërrimet. Në një situatë të tillë nuk mund t’i lija shokët me dhjetë vetë. Mundësia për të luajtur në një finale Champions-i nuk të vjen shpesh, aq më pak ta fitosh. Dhashë gjithçka kisha dhe në fund ishte një gëzim i pakrahasueshëm. Kam fituar dhe Kupën Libertadores me Palmeiras në vitin 1999. Kjo gjë më dha mundësinë të hyja në historinë e klubit dhe të transferohesha në Europë. Nuk zgjedh dot mës këtyre dy momenteve, ishin të dyja momente të mrekullueshme.”
BOTËRORI ME BRAZILIN – “Nuk krahasohet me asgjë. Isha pjesë e 23 lojtarëve, të cilët morën pjesë dhe fituan në Japoni dhe Kore në vitin 2002. Në finale isha pjesë e formacionit dhe janë të paktë njerëzit, të cilët mund të thonë që kanë fituar një Botëror. Po ata që kanë fituar Botëror, Champions dhe Kupën Libertadores? Numërohen me gishtat e një dore. Kur kthehem mbrapa në kohë mund të them që i kam realizuar ëndrrat e fëmijërisë: të luaja në nivele të larta dhe të fitoja në nivele të larta.”
AKTUALITETI – “Jam drejtor i Ferroviarias, skuadër e qytetit të Ararakuarës, 250 km larg Sao Paolos. Fillova punën si drejtues sportiv, sapo e mbylla karrierën e futbollistit. Kam bashkëpunuar dhe në zbulimin e talenteve. Kam bërë disa kurse në Itali, kam marrë licencat A dhe B të UEFAS-s dhe kam punuar dhe si trajner. Tani jam pjesë e Ferroviarias për pesë vite, por nuk e përjashtoj rikthimin në rolin e trajnerit në të ardhmen.”
LACIO – “Qëndrova aty 4-5 muaj. Ishte një eksperiencë e bukur, sepse isha trajner i ekipit të dytë të të rinjve. Përfundova te Lacio falë disa miqve të mi në Romë. Njëri prej tyre më prezantoi në klub dhe aty lindi ky bashkëpunim.”
ITALIA – “Vi shpesh në Itali dhe Gjermani, pasi kam miq të mirë në këto vende. Shoh shumë ndeshjes dhe kur qëllon rasti ndjek dhe Milanin.”
OBJEKTIVI – “Dua të punoj në Europë, nuk i kam marrë kot licencat e UEFA-s. Sigurisht që do të ishte kënaqësi të punoja në Itali.”