Xhixhi Bufon po shijon aventurën me ekipin e PSG, ndërsa i është përgjigjur disa pyetjeve në “Instagram”. Portieri 40-vjeçar pohon dhe njëherë se vendimi për të kaluar te Kampionët e Francës ishte i duhuri, pasi Bufon nuk dëshironte ta mbyllte karrierën pa provuar një eksperiencë jashtë Italisë.
Karrierë e gjatë dhe shumë ndeshje, të cilat portieri nuk i harron kurrë, duke filluar nga ajo e debutimit kundër Milanit. Ishte 19 nëntori i vitit 1995, Xhixhi ishte vetëm 17 vjeç dhe debutonte me Parmën në barazimin pa gola kundër kuqezinjve të Kapelos. Dy pritje deçizive për të mbajtur portën e paprekur dhe pjesa tjetër është histori.
“Më mungonte një eksperiencë larg Italisë dhe jam i lumtur me vendimin që kam marrë. Nuk e harroj kurrë ndeshjen e debutimit Parma-Milan. Nuk harroj shumë ndeshje me Parmën, fitimin e Kupës UEFA, Kupës së Italisë dhe Superkupës së Italisë. Me Juventus nuk harroj asnjëherë gjysmëfinalet e vitit 2003 kundër Real Madrid.”
Gardiani i portës së PSG zbulon dhe tre pritjet më të bukura gjatë karrierës së tij. “Një nga pritjet më të bukura është ajo me kombëtaren kundër Paraguait. Më pas në ndeshjen Parma-Inter në rastin e Alvaro Rekobës dhe pritjen kundër Podolskit në gjysmëfinalen e Botërorin e vitit 2006.”