Kthim në vitin 2006, kur Milani shpërfilli 19-vjeçarin… Higuain

Pranvera e vitit 2006 ishte një periudhë shumë e tensionuar në futbollin italian. “Calciopoli” ishte gati për të shpërthyer dhe e gjithë vëmendja e klubeve italian u spostua nga fusha e lojës në “fushën e tavolinave”. Por, kishte dhe nga ata që vazhdonin të mendonin për punën e tyre, një ndër ta Ariedo Braida, asokohe shefi i sektorit të skautimit te klubi i Milanit.

Në “email”-in e Braidas prej kohësh vinin raporte të detajuara mbi një sulmues argjentinas të quajtur Gonzalo Higuain. Luante me River Plejt ishte vetëm 19-vjeç, por ende nuk kishte arritur të siguronte një vend në formacion, madje në disa ndeshje nuk merrte qoftë dhe një minutë. Por, skauti i Milanit në Argjentinë insistonte si kurrë më parë, pasi për të ishte vetëm çështje kohe para se 19-vjeçari premtues të shpërthente.

Braida vendos të çojë në Argjentinë skautin e tij më të besuar, Andre Valdionçin. Higuain do të shikohej në transfertën, që River Pjeti kishte ndaj Korinthias në kuadër të kupës Libertadores. Higuain e nisi nga stoli, por futet në lojë në minutën 65-të dhe shënon dy gola që çojnë rezultatin në 1-3 për argjentinasit dhe bëjnë që tifozët vendas të Korinthiasit të shkaktojnë trazira.

Pak ditë pas dopietës së talentit argjentinas erdhi dhe “bekimi” i Galianit për lëvizjen, por më pas ndodh “Calciopoli”… Klubi rrezikonte të dënohej me rënie në “Serie B” dhe merkato u la në plan të dytë. Kur gjërat qetësohen Braida takohet me të atin e lojarit në Monte Karlo në muajin dhjetor. Palët bien dakord për një transfertë në janar, ndërsa River Plejt do të përfitonte 7 milionë euro për kartonin e Higuain.

Por, në janar në lojë futet Real Madrid, oferta 18 milionë euro e spanjollëve ishte shumë aventuriere në sytë e dyshes Berluskoni-Galiani, fundja ishte vetëm një 19-vjeçar që kishte shkëlqyer në vetëm një ndeshje madhore. Rrugët e Higuainit dhe Milanit u ndanë për t’u bashkuar sërish mbas 12 vitesh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *