Barcelona e Pep Guardiolës është një nga ekipet më të mira të historisë. Një mënyrë inovative e të luajturit futboll, e mbështetur në idetë e Johan Krujf dhe e moderuar nga Pep dhe Tito Vilanova. Futboll më horizontal se i zakonshmi, mbështetej tek loja e ekipit, pasimet “hutuese” dhe askush nuk duhet ta prekë topin më shumë se dy herë para se ta pasojë.
Më vonë mori emrin “Tiki-Taka”. Kjo mënyrë të luajturi nuk mund të ekzekutohet nga çdo lloj skuadre. Duhet të jetë një gjeneratë e tërë me talentë të jashtëzakonshëm, që janë rritur duke praktikuar këtë version unik futbolli. Kështu kishte bërë edhe Barcelona. “La Masia” kishte punuar 20 vite më parë për të sjellë në jetë ekipin e përsosur.
Ksavi Hernandes ishtë një ingranazh tepër thelbësor i asaj Barcelone. “El Maestro” kujton ekipin e mrekullueshëm të Barcelonës nën drejtimin e Pep Guardiolës. Ai shprehet se Barçën e ndaluan vetëm Çelsi dhe Inter për të qenë ekipi i paarritshëm. Ai e vlerëson shumë trajnerin spanjoll dhe punën e tij në “Camp Nou”.
“Para Guardiolës, Barcelona kishte fituar vetëm një Champions. Sigurisht mund të fitonin më shumë, por ai është një kompeticion që përmban situata mjaft komplekse. Barça e Pep ishte më e mira. Superiore ndaj çdo ekipi. Por ne fituam dy nga katër Champions të mundshëm sepse Çelsi dhe Inter na eliminuan. Jam i sigurt se Mesi do të sjellë të tjera kupa me veshë të gjatë në Barcelonë”, u shpreh Ksavi, i cili sezonin e ardhshëm do të jetë trajnerit i ri i skuadrës së Al Sad në Katar.