Ksavi Hernandez disa ditë më parë njoftoi se ky sezon do të jetë i fundit si futbollist. Mesfushori lajmëroi tërheqjen nga fusha e blertë dhe në deklaratën e tij la të kuptohej se e ardhmja do të ishte pozicioni i trajnerit. Spanjolli ka edhe dy ndeshje për të luajtur si protagonist në fushë. Ai që nga 2015 luan në Katar me Al Sad.
Ka qenë pikërisht klubi arab që nuk ka pritur, por i ka ofruar menjëherë vendin e trajnerit ish-yllit të Barcelonës. Al Sad vetëm para pak ditësh njoftoi se do të përfundojë bashkëpunimin me trajnerin Hezualdo Ferreira pas tre vitesh e gjysëm.
Kjo lëvizje duket se është bërë pikërisht për t’i hapur vendin Ksavit. Marrëveshja mes klubit dhe tij akoma nuk është zyrtarizuar, por sipas “Mundo Deportivo”, kjo do të ndodhë në ditët në vijim. Për 39-vjeçarin nuk kanë munguar as zërat për stolin e Barcelonës, megjithatë aventura e tij e parë do të jetë ekipi nga Katari. Është interesante të shohim se çfarë futbolli do të praktikojë katalanasi si trajner.