Akordi është arritur dhe pritet vetëm zyrtarizimi i këtij operacioni gjigant. Matijs De Ligt do të vijojë karrierën e tij në Torinon bardhezi. Përforcim fantastik për Juventusin, që siguron një prej talenteve më të mëdhenj të repartit defensiv.
Fabio Paratiçi dhe Mino Raiola do të nisen drejt Amsterdamit për të firmosur gjithçka me Ajaksin dhe 19-vjeçarin holandez. 70 milionë euro do të kalojnë në arkat e “Harkëtarëve”, 11 të tilla në xhepat e agjentit të lojtarit, ndërsa ky i fundit do të firmosë një kontratë 5-vjeçare me 12 milionë euro rrogë sezonale (8 fiks dhe 4 në formë bonusesh). Ndërkohë është përcaktuar edhe klauzola prej 150 milionë eurosh.
Një tjetër lëvizje që tregon fuqinë dhe ambiciet e Juventusit pas blerjes së Kristiano Ronaldos verën e kaluar. “Zonja e Vjetër” ka guxuar të ndryshojë dhe filozofinë e lojës me zgjedhjen e Sarrit si trajner dhe tifozët po presin me padurim nisjen e sezonit të ri. Një gjë është e sigurt, ky Juventus do të jetë si gjithmonë shumë i fortë, por edhe më i bukur për t’u parë.