Kryegolashënuesi Branica: Më duan në Superiore, rikthimi në sulm “sekreti” im!

Në 14 javët e para të Kategorisë së Parë, peqinasi Klejdis Branica që luan me Egnatian ka shënuar 8 gola. Edhe pse ai ka startuar në javën e katërt të këtij kampionati, golat nuk i ka harruar, ndërkohë që Egnatia renditet në vendin e tretë. Për SportEkspres.com, Branica deklaron se synimi për t’u ngjitur në Superiore do ta bëjë edhe më interesante garën në Grupin B.

Sulmuesi 26-vjeçar, djali i ish-futbollistit të Shkumbinit, Sokol Branica, në shtatë sezone karrierë ka luajtur me disa skuadra të Superiores e të Kategorisë së Parë, njëherësh ka qenë edhe pjesë e Kombëtares U19.

Dëmtimet e shumta, njëherësh edhe aksidenti i para disa viteve me makinë, e kanë larguar për pak kohë nga fusha e lojës, por peqinasi deklaron se ato i mendon të kaluar dhe është rikthyer për të qenë protagonist.

INTERVISTOI: AGRON KAJA

E kishit menduar se në 14 javët e para të Kategorisë së Parë do të ishit ju golashënuesi më i mirë?
-Unë jam sulmues dhe qëllimi im primar kur jam në fushën e lojës është shënimi i golit. Tashmë që jam rikthyer në pozicionin tim të preferuar si sulmues i mirëfilltë, kam besuar shumë te mundësitë e mia, por edhe te kolektivi i skuadrës që në përbërje ka elementë shumë cilësorë.

Ku e mendoni çelësin e këtij suksesi me 8 golat që keni shënuar në këto javë kampionat?
-E mendoj te përshtatja ime si sulmues i mirëfilltë me gjithë grupin. Unë kam startuar në javën e tretë në këtë kampionat dhe golin e parë e shënova në javën e katërt ndaj Pogradecit. Ky është pozicioni im në fushë dhe besoj se në vazhdimësi do të shënoj më shumë gola.

Ju keni luajtur edhe me skuadra të tjera në elitë dhe me Kombëtaren U19, a ndjeheni i plotësuar tek Egnatia?
-Momentalisht ndjehem shumë mirë te kjo skuadër, që veç përbërjes me lojtarë cilësorë që kanë luajtur edhe në Kategorinë Superiore, ka një organizim dhe angazhim serioz për mbarëvajtjen e garës. Besoj shumë për ngjitjen në Superiore dhe te serioziteti i trajnerit Duro.

Në këtë periudhë merkatoje, keni patur oferta nga skuadra të tjera?
-Po, këto ditë kam patur oferta nga dy skuadra të Kategorisë Superiore, por asgjë konkrete më tej. Unë jam futbollist profesionist dhe i gatshëm që çdo ofertë ta shikoj me kujdes, jo vetëm për anën ekonomike të saj.

Si e shikon Egnatian për pjesën e dytë të sezonit 2018-2019?
-Do të jetë një garë shumë e vështirë, pasi në fazën e tretë përgjysmohen pikët. Ne si skuadër nuk i jemi larguar synimit për t’u ngjitur në Kategorinë Superiore. Nëse Bylisi do të penalizohet me heqien e 3 pikëve, besoj se do të jetë më e hapur gara për kreun e Grupit B.

Po Kategorinë e Parë në tërësi, si e vlerësoni?
-Mendoj se është një kategori që ka edhe profesionizmin brenda, por ka edhe mangësi. Unë i shikoj terrenet si mangësinë më evidente. Me individët që janë pjesë e skuadrave në Kategorinë e Parë, ka më shumë mundësi që të rritet niveli. Por kjo dotë ndodhë pasi të përmirësohen terrenet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online