Krizë dhe kalendar “ferri”, Mema ka një mision të vështirë

Tirana për titull? Fillimisht bardheblutë duhet të mendojnë t’i largohen fundit të tabelës së klasifikimit. Superiorja është kampionat ujqish dhe deri më tani 24 herë kampionët e vendit janë “kafshuar” shpesh. Vetëm tetë pikë në nëntë javë kampionat i mbajnë kryeqytetasit pranë vendit të fundit.

Deri më tani kanë marrë pikët e plota vetëm ndaj vendeve të fundit, Kastriotit dhe Luftëtarit. pas humbjes me Flamurtarin, që ishte e dyta radhazi, kriza te Tirana është ulur këmbëkryq. Shumëkush aty mund të thotë se po luajmë dhe është psikologjike, por nuk është se i intereson kujt. Pikët janë ato që duhen.

Kalendari ua bën edhe më të vështirë bardhebluve. Deri te ndeshja derbi ka vetëm finale. Fillimisht duhen marrë pikët e plota në transfertë me Kamzën. Do shërbente për t’iu shkëputur fundit dhe për moralin.

Ndaj Teutës kanë favorin se do luhet në fushë asnjanëse dhe këto dy javë janë shumë të rëndësishme për skuadrën e Memës. Më pas në shtëpi me Kukësin dihet që është e vështirë, ashtu sikurse me Luftëtarin në transfertë.

Para derbit me Partizanin, Tirana duhet të kalojë me sukses ndeshjen me Skënderbeun në shtëpi. Sikurse shihet, trajneri Ardian Mema dhe lojtarët e tij kanë një mision shumë të vështirë përpara. Fitorja e parë është e rëndësishme për t’u çliruar, por kujdes: Superiorja ka vetëm finale.

GJASHTË NDESHJET E RADHËS PËR TIRANËN
Kamza-Tirana
Teuta-Tirana
Tirana-Kukësi
Luftëtari-Tirana
Tirana-Skënderbeu
Partizani-Tirana

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *