Monako e nisi me një fitore me rezultatin 1-3 përballë Nantë në transfertë kampionatin francez, por ajo mbetet fitorja e vetme edhe mbas javës së tetë të Liga 1. Klubi nga principata ndodhet në krizë dhe në shtatë ndeshjet e fundit në kampionat, ka marrë vetëm tre pikë.
Humbja e fundit përballë St. Etienit ka sjellë zhgënjimin e drejtuesve të klubit dhe zëvendës presidenti i klubit, Vadim Vasiliev. Ky i fundit ka folur për “Canal +”, pas humbjes së fundit, ku ka deklaruar: “Na mungon besimi. Është koha për të shtrënguar dhëmbët, të punojmë dhe të ngremë kokën. Nuk është momenti për të bërë një bilanc. Jam i zhgënjyer, të gjithë jemi të zhgënjyer”.
Të mërkurën, Monako udhëton drejt Gjermanisë për t’u përballur me Dortmundin në Champions dhe klubi francez shpreson që ekipi të reagojë dhe të rikthehet te rezultatet pozitive.