Para dy sezonesh Monako fitoi kampionatin francez dhe arriti deri në gjysmëfinalet e Champions Ligës, ndërsa tani rrezikon rënien nga kategoria. Situata në ekipin nga Principata nuk është aspak e mirë dhe Tieri Henri po kupton që detyra e trajnerit nuk është aspak e thjeshtë.
Monako fitoi mbrëmë kundër Lorientit në Kupën e Francës me rezultatin 1-0, ndërsa në kampionat renditet e dyta nga fundit me 13 pikë. Henri nisi eksperiencën e parë si trajner, duke marrë Monakon në një moment të vështirë, por ai nuk po arrin ta largojë ekipin nga kriza.
Vetëm 3 fitore (njëra në kupë), dy barazime dhe tetë humbje në 13 ndeshje, por klubi ka vendosur t’i besojë ish-yllit të Arsenalit. Siç raporton “Canal +”, drejtuesit e Monakos kanë vendosur të ofrojnë Frank Pasi si ndihmës të Henri.
Pasi ka punuar me Bielsën dhe Rudi Garsian te Olimpiku i Marsejës, Pasi është gati të nisë aventurën e re për të ndihmuar trajnerin e ri të Monakosë dhe për t’i dhënë një dorë ekipit, me qëllimin e vetëm për të dalë nga zona e mbijetesës.