Vazhdon situata e vështirë për trajnerin e Mançester Junajtid, Zhoze Murinjo. Portugezi është në një “luftë” të hapur me drejtuesit e klubit dhe mesfushorin Pogba, sepse ai mbeti i zhgënjyer nga merkato e varfër dhe nga fjalët e mesfushorit francez, i cili dëshironte largimin nga skuadra.
Mbas humbjes me rezultatin 0-3 me Totenhemin, trajneri 55-vjeçar shpërtheu në konferencën për shtyp duke kërkuar më shumë respekt nga gazetarët për tre titujt e fituar në ishull. Por, diçka e veçantë ka ndodhur sot, siç citon “The Sun”. Murinjo nuk ka marrë pjesë në stërvitjen e ekipit. Gazetarë dhe fotografë po prisnin në dalje të hotelit “Lowry Hotel”, ku qëndron portugezi, por ai nuk është parë të dalë jashtë. Makina e tij është nisur drejt qendrës së stërvitjes së “Djajve të Kuq”, por vetëm shoferi i tij ka qenë brenda saj.
Lojtarët kanë ardhur me radhë, madje dallohet dhe Pogba, i cili duket i qeshur dhe në humor, ndërsa nuk ka shenja të trajnerit portugez. Diçka mund të ketë ndodhur dhe e vërteta e “mungesës” së Murinjos pritet të zbardhet në vijim.