Flamurtari fiton thellësisht 95-62 ndaj Vllaznisë në basketboll për femra, në ndeshjen e zhvilluar në Vlorë, duke u ngjitur në vendin e tretë në renditje,pozicion që mbahej pikërisht nga skuadra shkodrane. Ekipi vlonjat tregoi me fitoren e thelle se humbja ne Shkodër në fazën e parë ishte thjesht një aksident, në një ndeshje ku polemikat kanë qenë të shumta.
Flamurtari merr kështu një pozicion si vendi i tretë, duke synuar minimalisht që deri në fund të sezonit të rregullt të renditet në vend të dytë. Ndeshja nuk ka pasur shumë histori, pasi Flamurtari e ka dominuar nga fillimi deri ne fund takimin. Pjesa e parë është mbyllur me shifrat 49-33, ndërsa dominimi i skuadrës vlonjate ka vijuar edhe gjate pjesës së dytë.
Flamurtari ka tentuar vazhdimisht ta thellojë rezultatin dhe ia ka arritur qëllimit, duke fituar në fund me plot 33 pike diferencë. Deri në përfundim të sezonit të rregullt, Flamurtari pritet të bëjë sërish përforcime në skuadër, ndërsa pritet edhe rikthimi i Myrtos, por edhe Plasës, për të synuar deri në fund titullin kampion.
Ndërkaq, edhe pas javës së nëntë marshon Sh.K.B.Tirana, e pandalshme këtë sezon, duke kryesuar renditjen me 18 pikë të plota. Vajzat ardheblu fituan me lehtësi 96-73 në Elbasan, ndeshje që ishte e thjeshtë për kryeqytetaset.
Fiton edhe ekipi i Sh.B.Tiranës, që mundi 93-45 Studentin në derbin kryeqytetas, një sfidë që u dominua dhe fitua pa shumë probleme nga basketbollistet e “një prej Tiranave”.
Kategoria e Parë Femra, java e 9-të
Elbasani – Sh.K.B.Tirana, 73-96
Sh.B.Tirana – Studenti, 93-45
Flamurtari – Vllaznia, 95-62
Renditja: Sh.K.B.Tirana 18 pikë (9/0), Sh.B.Tirana 15 pikë (6/3), Flamurtari 15 pikë (6/3), Vllaznia 14 pikë (5/4), Studenti 10 pikë (1/8), Elbasani 9 pikë (0/9).