Gëzim Krasniqi është i qartë: Kukësi do luftojë deri në fund për titullin kampion. Mbrojtësi kavajas ka dështuar ta bëjë diçka të tillë me fanellën e Partizanit dhe tanimë do të triumfojë me verilindorët. Fillimisht ai ka folur për fazën përgatitore.
“Jemi përgatitur mirë, në Turqi përfitohet shumë pasi kushtet janë të mira, terrenet janë perfekte. Ekipi po përgatitet mirë dhe besoj se i kemi marrë maksimumin kësaj faze. Kjo periudhë e bashkon edhe më shumë ekipin, atmosfera bëhet më pozitive, pasi je tërë kohën bashkë”, shprehet Krasniqi për faqen zyrtare të klubit të Kukësit.
Më tej ai flet edhe për objektivin titull dhe rivalitetit me të kuqtë: “Sa i takon konkurrencës me Partizanin, ne jemi këtu për ta fituar titullin, nuk jemi për të përmendur Partizanin. Ne do të luftojmë deri në fund për ta fituar titullin. Nuk duhet të merremi me emrat e kundërshtarëve për të luftuar për titullin. Duhet të bëjmë punën tonë dhe t’i marrim maksimumin çdo ndeshje, qoftë me Skënderbeun, qoftë me Tiranën, Kastriotin apo Laçin. Janë katër-pesë ekipe që jemi aty-aty me pikë. Ne do i bëjmë hyzmetin punës tonë për të shkuar deri në fund të kësaj pune që kemi nisur”.
“Ndeshja e parë kundër Laçit? Do ta fitojmë, patjetër”, përfundon Krasniqi, i cili paralajmëron edhe kurbinasit. Kukësi renditet aktualisht në vendin e dytë në klasifikim dhe diferenca me Partizanin kryesues është vetëm tre pikë. Sikurse kuptohet, gara për titull është e hapur dhe deri në fund do të ketë një “luftë” të vërtetë sportive për trofeun më të rëndësishëm në vend.
https://www.facebook.com/FKKukesiAlbania/videos/409224776486130/