Roma arriti një fitore bindëse mbrëmë në “Olimpico” me rezultatin 3-0 ndaj Kaliarit. Djemtë e Ranierit arritën të bindin në lojë dhe në rezultat. Me këtë triumf ata ngjiten në zonën Champions. Fitorja është e madhe, por jo aq sa për të shuar zërat për shkarkimin e Ranierit dhe ardhjen e mundshmë të Kontes në krye të stolit të Romës.
Nga mediat italiane raportohet se Roma është pranë akordit me strategun italian, çka sjell shkarkimin e Ranierit. Pas ndeshjes së djeshme ky i fundit është pyetur mbi këtë çështje. Ai tregohet tepër sportiv dhe jep një përgjigje për t’u vendosur në vitrinë. Pas një komenti për ndeshjen, ai u shpreh se nëse Konte vjen, është gati të shkojë për ta marrë në aeroport.
”Është ndeshja më e mirë e jona që kur kam ardhur. Falë dy golave të shpejtë, djemtë u çliruan. Do të doja shumë ta shihja Konten në stolin e Romës. Gjithsesi nuk kam asnjë dijeni. Besoj se do jem i fundit që do e marr vesh. Nëse Antonio vjen, unë do të shkoj ta marr në aeroport”, u shpreh trajneri aktual i Romës.