Tibo Kurtua u largua te Çelsi për t’u rikthyer në Madrid, kësaj radhe me fanellën e Realit. Pas shumë peripecive, portieri belg më në fund u largua nga Çelsi, ku pati deklaruar dhe publikisht se do të largohet. Megjithatë, aventura e tij te Reali nuk ka shkuar ashtu siç duhet.
Shtatlarti është kritikuar shumë nga tifozët e “Los Blancos” për paraqitjet e tij dhe shumë e konsiderojnë atë si fajtorin për sezonin e dështuar të “Galaktikëve”. Kurtua vetë ka pranuar se ky është një nga sezonet e tij më të vështira në karrierë.
Përveç paraqitjeve aspak pozitive, Kurtua ka pësuar edhe një dëmtim. Me anë të një njoftimi zyrtar, Reali i Madridit ka konfirmuar se Kurtua ka dëmtuar pulpën e tij të djathtë dhe po trajtohet, por ende nuk ka një datë zyrtare për rikthimin e tij në fushat e lojës. Fanella e titullarit do t’i besohet sërish Kejlor Navasit.