Klasikja e viteve të fundit, Kukësi dhe Skënderbeu gati për të treguar muskujt

Kukësi do të presë sot në orën 14:00 në Kamzë skuadrën e Skënderbeut, sfidë kjo e vlefshme për javën e 16-të të Kategorisë Superiore. Verilindorët u mundën në Korçë në fazën e parë dhe në një mënyrë a në një tjetër duan të marrin hak në këtë përballje.

Takimet mes kuksianëve dhe korçarëve në vitet e fundit kanë qenë gjithnjë me shumë rivalitet, për faktin se këto dy skuadra kanë diskutuar titullin në 8 edicionet e fundit. Do të luhet në një fushë neutrale, por ku sigurisht do të ketë më shumë tifozë të Kukësit, pasi dihet se në periferi të kryeqytetit ka jo pak banorë që kanë ardhur nga qyteti verilindor.

Sa i përket formacioneve, Cungu i qëndron linjës me tre mbrojtës, duke zbatuar teorinë se formacioni fitues nuk ndryshohet. Kur bëhet fjala për kapitenin ka përjashtime dhe Shameti me siguri do të marrë shiritin dhe vendin e tij në qendër të mbrojtjes. Nuk pritet ndonjë ndryshim tjetër me përjashtim të Limajt, i cili mund ta nisë nga minuta e parë këtë takim në vend të Shkodrës.

Në anën tjetër është Shehi që duhet të bëjë pa liderin Marko Radas. Kroati është i detyruar që ta ndjekë ndeshjen nga tribuna, për shkak se ka plotësuar numrin e kartonëve. Vendin e tij në prapavijë pritet që ta zërë Sambou. Në anën tjetër nuk pritet të ketë surpriza në repartet e tjera. Oto Xhon do të mbajë peshën e sulmit, në mungesë të Krasniqit të dëmtuar.

 

KATEGORIA SUPERIORE – JAVA 16
E premte, më 7 dhjetor
Ora 14:00, stadiumi i Kamzës

KUKËSI – SKËNDERBEU

KUKËSI: Frashëri, Maliki, Krasniqi, Shameti, Cuculi, Limaj, Dzaria, Kordeiro, Çyrbja, Ethemi, Rexhinaldo. Trajner: Armando Cungu.

SKËNDERBEU: Teqja, Vangjeli, Sambou, Aliti, Abazi, Muzaka, Dita, Demte, Gripshi, Bregu, Oto Xhon. Trajner: Orges Shehi.

GJYQTARË: Juxhin Xhaja, Denis Rexha, Arber Zalla, Emirion Sino.

Delegat: Marjus Sulejmani;

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *