Federiko Kieza është një nga të rinjtë më të talentuar të futbollit italian. 20-vjeçari i Fiorentinës zhvilloi një ndeshje shumë të mirë përballë Polonisë dhe disa klube të mëdha janë të interesuar për shërbimet e tij.
Juventus e ndjek prej kohësh, por Fiorentina ka refuzuar gjithmonë interesin e bardhezinjve. Gjatë marrëveshjes së huazimit të Marko Pjacës në Firence, Marota tentoi të merrte një gjysmë premtimi nga presidenca e Fiorentinës, por asgjë. Megjithatë, bardhezinjtë nuk dorëzohen dhe janë gati për të tentuar Kiezën në seksionet e tjera të merkatos.
Anësori ofensiv pëlqehet dhe nga dy klubet milanezë, me Milanin, që ka parakaluar Interin në garën për shërbimet e tij. Familja e lojtarit beson shumë te projekti dhe e ardhmja e kuqezinjve dhe Milani është një opsion shumë i mirë për të ardhmen e lojtarit.
Lojtari ndiqet nga i ati, Enriko Kieza, i cili nuk dëshiron të nxitohet për të ardhmen e të birit. Federiko është i ri dhe e pret një karrierë e madhe, por Fiorentina është e tashmja. Palët janë drejt rinovimit të kontratës me një vit dhe Kieza do të përfitojë një rrogë prej 2.5 milionë eurosh.
Lojtari duhet të vazhdojë të bëjë mirë në fushë, të shënojë gola, ndërsa Juventus, Milan dhe Inter vazhdojnë garën për të dhe presin momentin e duhur për të nisur sulmin për shërbimet e tij.