Një nga lojtarët më pak të kritikuar në ambientin e Milanit në këtë moment, është padyshim Frenk Kesi. Mesfushori afrikan, së bashku me Bakajokon, kanë formuar një dyshe të fortë në qendrën e mesit të fushës për kuqezinjtë dhe paraqitjet e tyre kanë qenë të mira.
Në fundin e sfidës ndaj Frosinones, 22-vjeçari ka folur për mediat, duke pranuar se momenti që po kalon ekipi i tij është mjaft i vështirë. Gjithsesi, Kesi shton se ai dhe shokët e tij duhet të punojnë akoma më shumë për t’u ringritur dhe për të lënë pas momentin e keq, duke u rikthyer te rezultatet pozitive.
“Është një periudhë e vështirë për të gjithë. Duhet të punojmë fort dhe të rikthehemi te fitorja. Më shumë jemi të lodhur psikologjikisht se sa fizikisht. Janë 4 ndeshja pa fitore. Duhet të punojmë shumë për të lënë pas këtë moment të vështirë. Kur të vijë goli, nuk do të ndalemi më, jam i sigurt. Nuk është momenti për të folur, por për të punuar. Na duhen fitore me çdo kusht. Duhet të japim gjithçka në ndeshjen e fundit dhe më pas të pushojmë për të karikuar bateritë përsëri”.