Usman Dembele është ndër ata pak njerëz që ka lindur me një dhunti të veçantë, pasi francezi nuk ka një këmbë të dobët, diçka kjo që e bën atë një makth për mbrojtësit kundërshtar.
Në një intervistë për medien franceze “RMC Sport”, 21-vjeçari sqaroi se është mëse e vërtetë që ai nuk ka një këmbë të dobët si shumica e popullatës, por ai pranoi se të dyja këmbët e tij kanë disa diferenca në disa aspekte të lojës.
“Ma bëjnë shpesh këtë pyetje (qesh)… Topin e kontrolloj më mirë me të majtën, por është një diferencë shumë e vogël, gati e papërfillshme me të djathtën. Kur vjen puna te goditjet, preferoj të përdor djathtën, godas shumë më fort dhe më saktë me të, ndërsa me të majtën nuk i dihet. Ndonjëherë përfudon në trekendësh, ndërsa ka pasur plot raste ku topi ka përfunduar lart në qiell”, tha Dembele.