Napoli po kërkon përforcimin e sulmit dhe një emër i madh pritet të vihet nën urdhrat e Ançelotit. Benzema dhe Di Maria u “përjashtuan” nga presidenti De Laurentis. Janë “të vjetër” sipas kreut të napolitanëve. Diçka e tillë ka nervozuar dhe sulmuesin francez të Realit, i cili nuk ka kursyer replikat ndaj De Laurentis.
“I vjetër” është dhe Edison Kavani, por në rastin e tij ndryshon llogjika. Uruguajani është një idhull në Napoli dhe rikthimi i tij do i gëzontë të gjithë. Ai është dëshira kryesore e klubit dhe tifozerisë. Por një klub tjetër është futur mes palëve. Flasim për Realin e Madridit.
Kavani është një preferencë e teknikut Lopetegui dhe bomberi uruguaian (golashënuesi më i mirë i historisë së PSG-së) mund të jetë sulmuesi i ri i Realit siç raporton “Radio Marca”. Ai ndihet mirë në kryeqytetin francez, ka raport të mrekullueshëm me tifozerinë, por jo me brazilianin Nejmar.
Napoli kërkon rikthimin e tij, me Kavanin që duhet të sakrifikojë diçka nga rroga e tij e lartë. Mes tyre tashmë është dhe Reali i Madridit. Gara për shërbimet e tij ka nisur. PSG pret ofertën më të mirë, ndërsa Kavanit i duhet të mendohet për të ardhmen e tij.