Nga kampi i Tiranës nuk ka asgjë! Gjithçka është në ajër, për momentin. Por Tirana ka edhe plan “B”, nëse Komisioni i Etikës nuk i jep mundësinë bardhebluve që të qëndrojnë në Kategorinë Superiore. Me planin që Mirel Josa nuk do të jetë më trajner i Tiranës, bardheblutë janë duke menduar për pasuesin e kampionit të stolit bardheblu.
Janë shumë emrat që qarkullojnë për të marrë Tiranën. Disa janë më të avantazhuar dhe të tjerë më pak. Gjithsesi, në varësi sesi do të shkojnë gjërat do të vendoset për trajnerin. Aktualisht në krye të listës për të marrë skuadrën, gjithmonë nëse largohet Mirel Josa është një emër i njohur bardheblu. Bëhet fjalë për Bledar Devollin. Ish-trajneri i Kamzës mund të afrohet në skuadër, pasi këtë sezon ka pasur një eksperiencë pozitive në Kategorinë e Parë. Arma e fortë e Devollit është njohja e ambientit bardheblu. Po kështu Devolli është mik me drejtorin Devi Muka, por edhe një “ish” që gjithmonë ka ndjekur ekipin këto kohë. Gjithsesi, që Devolli të jetë trajneri i Tiranës, duhet të kombinohen disa raste. I pari, largimi i Mirel Josës dhe më pas mund të flitet për zëvendësuesin e tij.
Takimi
Vazhdon të jetë i mistershëm ambienti bardheblu. Nuk ka ende një vendim zyrtar, se çfarë do të bëhet në klub. Do të qëndrojë Josa do të largohet apo jo? Do të qëndrojë Refik Halili. Fakt është që Josa nuk ka dëshirë të qëndrojë. Për ta bërë një gjë të tillë, duhet të bëjë një sforco të madhe morale. Trajneri Mirel Josa e mori drejtimin e Tiranës në fazën e dytë dhe e nisi mirë, duke marrë dy fitore radhazi me Teutën dhe Laçin, kundërshtarë që tani në fund i lanë pas shpine bardheblutë. Bilanci në fazën e dytë ishte 3 fitore, 4 barazime dhe 3 humbje, çka do të thotë 12 pikë për Tiranën. Pjesa e dytë e sezonit ishte totalisht e dobët për skuadrën e drejtuar nga Mirel Josa, që në 18 ndeshje mblodhi po 12 pikë. Ato që rëndojnë më shumë janë dy barazimet e arritura me Korabin, që do të thotë katër pikë të lëna, që sot do të thoshin shumë, qëndrimi në Superiore. Tiranën e ka ndjekur shumë fati i keq në pjesën e dytë të sezonit, ndërkohë që dënimi nga FIFA për të mos bërë merkato në janar i dha një goditje të rëndësishme bardhebluve, që në anën tjetër, të njohur me dënimin e marrë, vendosën të largojnë disa lojtarë. Vucaj, Muzaka, Nika dhe Mustafa u larguan me “OK”-in e trajnerit. Duke parë situatën që kaloi klubi, ata mund të kishin qenë shumë të vlefshëm për Tiranën, që në njërën anë shkurtoi shpenzimet, por fatura e rënies nga Superiorja është edhe më madhe.