Tirana nuk ka kohë shumë të festojë. Triumfi me Kukësin është vetëm një gjysmë hapi, sikurse edhe thotë trajneri Ardian Mema. Tre pikët u morën dhe në njëfarë mënyre bardhebluve i është rikthyer ai fati i munguar në pjesën e parë të sezoni. Lojërat nuk i kishin munguar, por ato nuk kanë shumë vlerë nëse nuk ka rezultate. Këto të fundit tanimë 24 herë kampionat e vendit po i marrin.
|Jemi në rrugë të mbarë, por kemi bërë vetëm gjysmë hapi. Gjithsesi ky është futbolli dhe duhet ta pranojmë kështu siç është, me fatin brenda. Këtë herë në buzëqeshi ne , por unë nuk dua që t’i lë gjërat shumë në dorë të fatit”, thotë Mema në “Top Channel”.
Trajnerin e Tiranës e bezdisin fjalët lart e poshtë. Ai nuk dëshiron ta shohë fitoren ndaj Kukësit si nder ndaj Partizanit. “Kam parë edhe shumë komente nëpër ‘Facebook’, të tipit që i bëtë nder Partizanit, apo diçka e tillë. Ne nuk i bëjmë nder askujt, ne i bëjmë nder vetes sonë”, përsërit për të disatën herë trajneri Mema.
Pak fjalë edhe nga kapiteni Erando Karabeci, i cili mes të tjerave thekson se nuk e kanë menduar se do të përsëritej ajo që ndodhi para dy viteve. “Të jem i sinqertë nuk është se e kemi menduar , edhe pse nuk kemi pasur rezultate të mira. Do ishte katastrofë ta mendonim atë gjë. Nuk është se kemi bërë ndonjë gjë tani, thjesht kemi marrë disa rezultate pozitive. Duhet të kemi vazhdimësi” deklaron mesfushori qendror.