Kastrioti, loja dhe titulli, Cungu: Do gabojnë dhe rivalët. Afrimet? Flas kur të dalin në stërvitje

Kukësi pret nesër Kastriotin në stadiumin e Elbasanit dhe objektivi i djemve të Cungut është fitorja. Një ndeshje e lehtë në letër, por në fushë janë të gjitha të vështira. Trajneri i Kukësit ka folur në konferencën për shtyp përpara përballjes me krutanët.

Cungu komenton sezonin e ekipit deri në këtë pikë, vlerëson lojën e ekipit dhe faktin që u është dashur të luajnë gjithmonë “jashtë fushe”. Trajneri i verilindorëve ndalet dhe te afrimet e Rrocës dhe Shkurtajt, por ai do të flasë më shumë për ta pasi t’i bashkohen ekipit.

Ndeshja me Kastriotin është e fundit. Sa i kënaqur jeni me Kukësin në dy fazat e para?
-Shumë i kënaqur, të jem realist. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me rezultatet në ndeshjet e kthimit. Jam shprehur edhe herë të tjera. Normalisht ka disa arsye që flas kështu. E para kam parë progresin e djemve nga momenti që kam ardhur këtu. E dyta, me shumë krenari mund të them se Kukësi ka bërë një kampionat shumë të mirë në fushën e lojës. Kemi bërë ndeshje shumë të mira, madje në aspektin e lojës ka triumfuar mbi kundërshtarët. Ajo që na ka penalizuar është fakti që kemi shpërdoruar shumë. Nuk duhet harruar edhe fakti që luajmë larg shtëpisë. E kam thënë, nuk e di nëse ka ndonjë ekip tjetër që ka 31 pikë jashtë fushe. I bie kampion nëse flasim me këtë gjuhë.

Sa i kënaqur jeni me afrimet e fundit, Rrocën dhe Shkurtajn? Sa ju shtohet përgjegjësia ju si trajner në vijim?
-Di që flitet shumë për këta lojtarë. Në fushën e lojës nuk kanë dale ende. Kur ta dalin në stërvitje mund të ma bëni këtë pyetje. Nëse do të jenë, për mua nuk është çështje përgjegjësie. Normalisht që jam trajner dhe jam për të bërë zgjedhjet e duhura, për t’i dhënë mundësinë lojtarëve që janë më në formë. Nëse do të vijnë, natyrshëm që do jenë në fokusin tim dhe të klubit për të bërë më të mirën në favor të Kukësit. Presim kontributin e çdo lojtari dhe jo vetëm të këtyre që do të vijnë.  Nuk e shoh veten në siklet, ai lojtar që e meriton do të zbresë në fushën e lojës.

Rexhinaldo është një karakter i vështirë, a mendoni se do të përshtatej me Shkurtajn të dy bashkë?
-Ju po më bëni pyetje, po më bëni edhe formacionin. Ndoshta nuk mund të luajnë të dy bashkë, ndoshta mund ta nisë njeri. E thashë edhe më përpara, mua më kërkohet të bëj zgjidhjet e duhura dhe të jeni të bindur që do i bëj, sikurse po i bëj. Profesionistët duhet të sillen si të tillë dhe patjetër që duhet të pranojnë zgjedhjet e trajnerit. Deri tani kemi pasur të bëjmë me profesionistë dhe për këtë arsye jam i kënaqur. Nuk ka ndonjë gjë për t’u shqetësuar, është pjesë e futbollit.

A do ishin të mjaftueshëm Shkurtaj e Rroca të ishin afrimet e janarit, apo do donit edhe ndonjë lojtar tjetër
-E kam theksuar edhe më parë, nuk më pëlqejnë afrimet e shumta. Një klub duhet të organizohet mirë në verë, në dhjetor është e vështirë. Aq më tepër nuk më pëlqen prishja e ekuilibrave. Sa më shumë lojtarë të vijnë, aq më keq është. Jam për t’i shërbyer grupit dhe për t’i mbajtur të lidhur.

Si është gjendja e ekipit para ndeshjes me Kastriotin?
-Gjendja është e mirë, lojtarët janë stërvitur mirë. Atmosfera ka qenë e mirë, falë edhe rezultateve të ndeshjeve të fundit. Aspekti psikologjik duhet të jetë në gjendje maksimale, ashtu sikurse edhe serioziteti dhe përqendrimi. Këtë e kam kërkuar në stërvitje dhe djemtë e kanë kuptuar mesazhin tim. Duhet të futemi në fushë për të marrë tre pikët. Nëse vijohet me sakrificën e bërë deri më tani, besoj se do dalim triumfues.

I druheni një nënvlerësimi të Kastriotit?
-E thashë edhe më parë, jam munduar gjatë javës t’u flas disa herë lojtarëve për këtë. Këto janë ndeshje shumë të rrezikshme, shumë të vështira. Fakti që kundërshtari është i fundit bën që të ketë nënvlerësim. U ka ndodhur edhe klubeve të mëdha në botë. Jo se neglizhohet, por mund të mendohet se mund të jetë pak më e lehtë. Për mendimin tim mund të jetë më i vështirë se Partizani e Skënderbeu Kastrioti nesër. Kështu që jam i bindur, që duke pasur fatin që kemi lojtarë me eksperiencë, do të fusin frymën e duhur në ekip dhe të mos ketë neglizhenca.

Thatë që jeni i kënaqur me ekipin, por sa problematike është fakti që jeni pesë pikë larg vendit të parë?
-Nuk e shoh si një problem. Kanë qenë 12 pikë disa javë përpara, sot janë pesë. Me pak kujdes mund të ishim dy pikë, pasi luajtëm ndeshjen direkte një javë më parë. Është edhe gjysmë kampionati për t’u luajtur. Siç kemi gabuar ne, kanë gabuar edhe kundërshtarët tanë. Kjo ka ndodhur. Kampionati nuk ka mbaruar dhe është e rëndësishme të jemi grup dhe të bëjmë më të mirën. Do rikuperojmë pikë edhe më shumë.

A ka vend për largime në mesfushë, duke qenë se afrohet Rroca?
-Është situatë që duhet diskutuar. Kemi pasur mungesa të shumta, ka pasur raste që kemi shkuar edhe me 14 lojtarë. Sa më shumë lojtarë të ketë, aq më mirë është. Më pyetët edhe për sulmin. nëse jemi profesionistë, duhet të sillemi si të tillë. Nuk e bën ekipin një individ, nuk fiton vetëm një individ, por fiton me një grup. Kemi treguar që është një ekip grupi. Duhet të marr më të mirën nga ekipi. Pjesa tjetër duhet parë se si do të rrjedhë.

/JURGEN ZELA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *