Gara, problemet me financat dhe arbitrimi: Bejkush Birçe “skanon” Superioren

Ky fundviti është i tillë edhe për mbylljen e fazës së dytë të Kategorisë Superiore, e cila dje, sot dhe nesër luan ndeshjet e javës së 18-të të saj. Për zhvillimin e tyre e kryesisht për Partizanin, ish-trajneri i Kombëtares dhe i Partizanit, Bejkush Birçe, deklaroi mes të tjerash për SportEkspres.com se situata ka ndryshuar drejtim nga disa faktorë. Ndërkohë që sipas tij, Partizani duhet të mendojë më shumë për sulmin, sepse ka mangësi në finalizim.

Bejkush Birçe është pjesë e rëndësishme e historisë në trajningun e futbollit shqiptar në periudhën 1971-1996. Në karrierën e tij ai ka drejtuar Partizanin në 11 sezone, Dinamon në 1 sezon dhe më pas për 4 vite ka qenë në stolin e Kombëtares. Karriera e tij në bankinë është mbyllur në vitin 1996 te skuadra e vendlindjes, Flamurtari, të cilin e drejtoi në dy sezone: 1994-1996. Aktualisht Birçe është aktiv në mediat sportive shqiptare.

INTERVISTOI: AGRON KAJA

Në Kategorinë Superiore luhet java e fundit e fazës së dytë, cili është këndëvështrimi juaj për 17 javët e luajtura?
-Unë mendoj se situata në Superiore ka ndryshuar drejtim nga disa faktorë. Sepse ende ka skuadra që ankohen për financat dhe ka të tjera që ankohen për arbitrat, duke e zbehur ritmikën e lojës. Kjo është një lojë justifikimesh, që duhet të marrë fund pa pritur funksionimin e Ligës.

Duke qenë në kreun e renditjes, mund të themi se Partizani ka dhënë më të mirën në 17 javë?
-Kjo është një fatmirësi për Partizanin që gjendet në kreun e renditjes në dy fazat e para, por do ta ketë të vështirë ta mbajë kreun me përbërjen që ka. Më shumë ka probleme në finalizim dhe urgjentisht duhet të mendojë të paktë për dy sulmuesa tipikë të golit.

Ku mendoni se ka lëshuar Partizani në këtë gjysmë të parë të këtij kampionati në Superiore?
-Partizani ka bërë hapa “falls” në ndeshjet ku ka fituar, edhe pse duhet t’i kishte humbur. Nuk e nisi mirë këtë sezon në kampionat, duke lënë disa pikë që do t’i kushtojnë. Sepse në 17 ndeshje ka 11 fitore, 3 barazime dhe 3 humbje, pra ka lënë 15 pikë në këto dy faza.

Çfarë do t’i këshillonit trajnerit Gega për sfidën që Partizani do ta luajë nesër në Gjirokastër?
-Nuk do të jetë përballje e lehtë për Partizanin, sepse në këto dy faza të para Luftëtari ka treguar lojë të mirë që askush nga skuadrat e tjera nuk e ka imituar. Por nuk e besoj se do të dorëzohet në këtë sfidë dhe pretendimi i tij duhet të jetë për maksimumin.

Dje u luajtën dy ndeshjet e para të javës së 18-të, ishin rezultate të pritshme?
-Për Tiranën më vjen mirë që arriti të fitojë, por më vjen keq që ndodhet në këtë pozicion në renditje. Me këtë skuadër nuk duhet të diskutonte mbijetesën, e kësisoj duket se ka mangësi në menaxhim, ndërsa Skënderbeu po tregon se brenda tij ka probleme në menaxhim e drejtim.

Sot luhet Teuta-Laçi dhe nesër Kukësi-Kastrioti, janë favorite dy skuadrat vendase?
-Teuta duhet të mos tregohet e “dehur” sot në sfidën ndaj Laçit, sepse ka përballë një skuadër të vështirë për ta mundur. Ndërsa Kukësi mund të quhet favorit ndaj Kastriotit, por unë shoh përmirësim në lojë te skuadra krutane dhe mund t’i hapë probleme në përballjen nesër.

Nesër mbyllen dy fazat e para, në katër javë ndërprerje çfarë sugjeroni se duhet të bëjnë skuadrat?
-Kjo hapësirë e ndërprerjes së kampionatit nuk duhet menduar si kohë pushimesh dimërore. Duhet të jetë një periudhë e ngarkuar me përgatitje dhe merkato, edhe pse infrastruktura jonë stërvitore nuk afron kushte që skuadrat të stërviten me intensitet në dy seanca çdo ditë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online