Kastrati: Po mendojmë zgjidhjen për lojtarët, Kamza fajtore “kokë e këmbë”

Tahir Kastrati, kreu i shoqatës Bashkimi i Arbitrave të Futbollit Shqiptar, ka folur pas takimit që Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë me qeverinë dhe përfaqësues të kabinetit të saj. Në tryezën e rrumbullakët të zhvilluar një ditë më parë, ku ishin të pranishëm edhe drejtuesit e klubeve. Ai flet edhe në lidhje me garancinë që pritet të japin forcat e rendit në stadium.

“Siç thotë populli, çdo e keqe e ka një të mirë. Mendoj se protesta, bojkoti, ia arriti qëllimit dhe mori frytet e veta. Të gjitha propozimet që bëri Federata ishin në një emërues të përbashkët me qeverinë. Është një premtim i madh dhe na bën optimist që çdo gjë do të rregullohet. Jemi në një periudhë emergjence derisa të ndodhin ndryshimet ligjore. Gjatë kësaj periudhe kemi nevojë për një bashkëpunim, e jo të kalohet topi nga federata te policia dhe anasjelltas. Topi të jetë në fushën e lojës dhe aty të plotësohen të gjithë kërkesat që duhen. Në këtë periudhë emergjence duhet siguri absolute. Kjo siguri arrihet me prezencën e Policisë së Shtetit në ndeshjet e futbollit”, u shpreh fillimisht Kastrati për “SportEkspres.com”.

Veç Policisë së Shtetit dhe FSHF-së organizatore të garës, edhe klubet kanë pjesën e tyre të përgjegjësisë: “Secili aktor dhe faktor duhet të marrë përgjegjësitë e veta, në mënyrë që të gjithë së bashku të arrijmë aty ku duam dhe të rritim cilësinë e futbollit, të krijojmë një ambient ku tifozët të ndihen të sigurt, zyrtarët të ndihen të sigurt, si dhe gara të jetë sa më korrekte dhe objektive”.

KAMZA – Kastrati shpreh keqardhjen për lojtarët e Kamzës dhe tregon se po mendohet për një zgjidhje momentale. “Edhe unë jam i shqetësuar për të ardhmen e futbollistëve të ekipit të Kamzës. Jo për klubin që është këmbë e kokë fajtor. Edhe ne e diskutuam (gjatë mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv) dhe shpresojmë të gjejmë një rrugëzgjidhje për futbollistët e këtij ekipi. Ata, edhe në një ngjarje kaq të rëndë, treguan shenja të një sportiviteti dhe të një korrektësie. Lojtarët e Kamzës i dolën në mbrojtje arbitrit”, deklaroi Kastrati.

Në fund ai shtoi: “Në rast se të gjitha ato që u thanë do të zbatohen, siguria do të jetë absolute. Mund të përmend vetëm një fakt, që me një procedurë të përshpejtuar komisionet do të miratojnë ligjin mbi dhunën në stadiume. Një prej neneve është që në qoftë se një person shkel vijën e bardhë të fushës, aty është vija e kuqe që i çon ata drejt një penaliteti me burg deri në minimumi 3 vjet. Nëse kjo ndodh sa më shpejt, edhe siguria do të jetë shumë më e madhe”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online