Andri Shevçenko prej kohësh ka nisur karrierën e tij si trajner, ku është në krye të kombëtares së vendit të tij, pra Ukrainës. Ish-sulmuesi ka folur së fundmi për “Tuttosport”, ku ka prekur disa tema. Fillimisht, Shevçenko foli për rolin e tij si trajner, më pas analizoi Milanin dhe Gatuzon, ndërsa në fund e mbylli me Juventusin dhe mundësinë e bardhezinjve për të fituar Championsin.
SHEVÇENKO TRAJNER – “Vështirësia ime më e madhe është që të bëj njerëzit të kuptojnë faktin që tani jam një trajner dhe jo lojtar. E ndjej veten time 100% takticien, mjeshter taktike. Mendoj, konsideroj dhe veproj totalisht në një mënyrë tjetër nga çfarë kam bërë në të shkuarën. Kam më shumë mendime dhe fle më pak gjumë.”
GATUZO – “Rino ka sjellë entuziazëm në klub dhe te tifozët. Ai është shumë i përgatitur dhe kanë kaluar shumë vite që kur Milani luftonte për një vend në Champions League. Gatuzo ka shumë merita, po ashtu edhe drejtorët Leonardo e Maldini. Ata sollën Piatek në janar.”
KRAHASIMI ME PIATEK – “Po e vërteton se çfarë vlerash ka. I kam dëgjuar krahasimet, por kemi shumë karakteristika të ndryshme. Ai do të krijojë rrugën e tij. E vlerësoj shumë nuhatjen që ka për gol. Shënon në shumë mënyra.
RONALDO DHE JUVENTUSI – “Kristiano ngjan më i ri nga çfarë është në të vërtetë. Nuk duket aspak si 34 vjeç kur e sheh në fushë. Juventusi ishte shumë ekip i fortë edhe përpara Ronaldos, por me sa duket kishin nevojë për një lojtar të klasit botëror për të zgjidhur situatat thuajse të pamundura. Tani që ata kanë Kristianon, mund të fitojnë Championsin.”
ALEGRI – “E vlerësoj shumë Maks Alegrin dhe aftësinë që ai ka për të motivuar grupin. Është trajneri perfekt për të bashkëpunuar me shumë kampionë. Kur ke lojtarë të mëdhenj duhet të gjesh mënyrën e duhur që t’i kombinosh dhe t’u japësh besim dhe Alegri di ta bëjë këtë gjë.”