Erando Karabeci, kapiteni i Tiranës, ishte në fushë ndaj Kastriotit. Sigurisht që ndihej mirë për këtë dhe në lidhjen direkte me emisionin “Gol pas Goli” në Supersport u shpreh se shpreson të bëjnë mirë në vazhdim, pasi i kanë cilësitë.
FITORJA – “Fitorja na gëzon, vinim nga ditë të vështira. Nuk është e thjeshtë të humbnim derbin. Ditët që vijojnë janë të vështira, nuk përballohet kur humb. Jemi munduar të qëndrojmë bashkë, hëngrëm edhe një drekë, folëm dhe thamë që duhet të jemi të qetë e të punojmë. Kjo pasi jemi larg pritshmërive me grupin që kemi. Primar është ekipi dhe normalisht unë gëzohem kur luaj”.
LËNIA JASHTË DERBIT – “Është fryrë shumë nga mediat, nuk jam ndjerë mirë. Kjo ka prishur edhe ambientin në ekip, ndaj ndihem përgjegjës për faktin që emri im është bërë shkak. Me njihni mirë dhe unë nuk kam pasur problem me trajnerët, pasi jam treguar profesionist. Jam sqaruar me trajnerin dhe tani shpresojmë të vazhdojmë përpara”.
DEKLARAT E DEVI MUKËS – “Sa i takon Mukës, kam respekt dhe kam mësuar nga ai. Jam mësuar të marr ato brenda fushe, pasi ai jashtë fushe nuk i përballon mirë situatat. Ai më ka vlerësuar, pasi ka thënë se nuk më ka vlerësuar klubi dhe trajneri. Por kjo nuk ndodh me mua, jemi profesioniste”.
AKTIVIZIMI – “Normalisht çdo lojtar mërzitet kur nuk luan, pasi do të japë kontributin e tij. Kur mendon që je në maksimum, normal mërzitesh. Çdo gjë është sqaruar tani”.
NDESHJA – “Nuk bëmë një ndeshje të mirë, por kur nuk ke qetësi me rëndësi është të marrësh pikët. Ekipi nuk është i qetë të bëjë lojën e vet. Edhe fusha nuk ishte në nivelin e duhur. E thashë që kemi qëndruar bashkë dhe kemi folur edhe për ndeshjen. Kur të marrim pikët do jemi më të qetë, do të luajmë më mirë. Ne kemi cilësi brenda grupit”.