Bajerni i Mynihut ndodhet në një situatë shumë të vështirë, ndërsa Niko Kovaç është pranë shkarkimit. Qetësia mungon në ekipin bavarez, ndërsa mbizotëron kaosi, nervozizmi dhe tensioni. Shumë lojtarë ndodhen në një formë të dobët si Myler dhe Boateng. Riberi dhe Roben janë vjetruar dhe ndodhen në vitin e fundit të kontratës, ndërsa Levandovski ka harruar të shënojë (për momentin 6 lojtarë kanë shënuar më shumë se polaku në Bundesligë).
Siç citon “Bild”, ndeshja e sotme kundër Benfikës në Champions është shansi i fundit për trajnerin kroat. Nëse fitorja nuk vjen, ai nuk do të ketë mundësinë për të drejtuar më Bajernin e Mynihut.
Trajneri është koshient për situatën, ndërsa ka patur ankesa për lojtarët e tij. Ai dëshiron të bëjë maksimumin deri në ditën e tij të fundit, ndërsa nuk nguroi të kritikonte lojtarët e tij dhe publikisht. “Kemi pësuar gola për shkak të gabimeve individuale, që nuk mund t’i shmangë asnjë trajner në botë. Mund ta imagjinoni se si ndihem brenda vetes. Po frenohemi gjithmonë nga gabime individuale”, foli Kovaç.
Situatë pozitive nuk po përjetojnë as drejtuesit e klubit. Treshja drejtuese: Hënes, Rumenige dhe Salihamixhiç zhvilluan një konferencë për shtyp me datë 14 tetor, duke kritikuar shumë persona: opinionistë, gazetarë dhe ish-lojtarë të Bajernit. “Viktima” e parë ishte Pol Brajtner, një emër i madh i Bajernit dhe Gjermanisë dhe shok e mik i ngushtë i presidentit Hënes. Brajtner shprehu disa kënaqësi për konferencën për shtyp të treshes drejtuese, diçka që nuk u pëlqye në klub.
“Më lajmëruan për të më thënë që Uli Hënes nuk dëshiron që, në atë ardhmen, të më shohë më në tribunën e nderit. U përgjigja se nuk do të kisha ardhur gjithsesi: nuk do të kisha dashur ta shihja Bajernin në këtë gjendje. I ktheva mbrapsht klubit dy biletat falas, që më takojnë si një lojtar historik i Bajernit: nuk dua të mendojnë se dëshiroj bileta falas. Nëse do të doja të kthehesha në stadium, do e blija biletën nga xhepi”, thekson Pol Brajtner.