Lukas Paketa është përforcimi i parë i Milanit në merkaton e janarit. Akordi për kalimin e fantazistit brazilian në ekipin e Gatuzos është arritur prej kohësh dhe 21-vjeçari mezi po pret të debutojë me bluzën kuqezi.
Një gjë të tillë po e presin të gjithë, klubi, tifozët, por dhe Rikardo Kaka. Ish-ylli i ekipit të “Djallit” ishte një nga personat që ndikoi në zgjedhjen e Paketës për të vazhduar karrierën me Milanin.
Kaka ka folur për “Globoesporte”, duke i dhënë disa këshilla patriotit të tij: të luajë futbollin që di të bëjë, të mos mërzitet nga krahasimet me lojtarë të tjerë dhe të mësohet me presionin. Milani pret shumë nga Paketa, ndërsa fantazisti ndodhet në klubin perfekt për t’u rritur dhe përmirësuar si futbollit.
“Paketa duhet të luajë futbollin e tij. Në fillim do të ketë gjithmonë krahasime, por ngadalë me stilin e tij të lojës, ai do të lirohet nga kjo situatë. Shpresoj që të shkruajë historinë me Milanin. Jam i lumtur për ardhjen e tij te klubi që më hapi derën për në Europë. Milani ka një lidhje të madhe me futbollistët brazilianë. Shpresoj që Paketa të ketë fat dhe të ketë një karrierë brilante në Europë. Atij i duhet të mësojë të jetojë me presionin dhe të përdorë instinktin dhe talentin e tij për të luajtur. Ai do e gjejë veten mes më të mirëve në botë dhe shkolla italiane do e ndihmojë atë të përmirësohet si lojtar”, përfundon Rikardo Kaka.