Kaka: CR7 njeri i madh. Murinjo? Preferonte Ozil, por është… inteligjent dhe real

Kaka trishtoi shumë zemra milanistësh kur u largua te Reali i Madridit në verën e vitit 2009. Aventura spanjolle e fituesit të “Topit të Artë” me Milanin në vitin 2007 nuk shkoi në mënyrën më të mirë të mundshme për brazilianin fantastik.

Dëmtime të shumta, por dhe mungesë besimi nga ana e Zhoze Murinjos, i cili preferonte Mesut Ozil në vend të djaloshit të artë. Më pas rikthimi te ekipi i “Djallit” në vitin 2013, por ai nuk ishte më Kakaja që njihnin të gjithë dhe kuqezinjtë nuk ishin më Milani që njihnin të gjithë.

36-vjeçari i është rikthyer eksperiencës me Realin e Madridit në një prononcim për “SporTV”, duke folur për Kristiano Ronaldon dhe Zhoze Murinjon. Largimi nga Reali erdhi pikërisht në momentin kur në stol u ul Karlo Ançeloti, ish-trajneri i tij te Milani dhe Kaka rrëfen shkakun e vërtetë të largimit nga “Los Blancos”.

REALI – “Në vitin 2013 kur erdhi Ançeloti trajner, Perez dëshironte të ndryshonte kontingjentin e lojtarëve dhe donte të blinte të tjerë. Fola me Karleton dhe i thashë që kam nevojë për minuta, pasi i kisha të nevojshme për Kupën e Botës. Ai më këshilloi të largohesha dhe të rikthehesha te Milani.”

CR7 – “Kristiano është një lojtar klasi, por dhe një njeri i madh. Ai ishte gjithmonë i vëmendshëm, i kujdesshëm dhe i dobishëm për të gjithë në dhomat e zhveshjes. Ok, ishte pak mendjemadh, por është sjellë gjithmonë mirë. Ai më ka ndihmuar shumë, duke më inkurajuar dhe gjatë intervistave. Një herë gjendeshim në grumbullim në Los Anxhelos dhe ai siguroi 15 telefona për t’ia dhuruar gjithë stafit. Nuk kam patur kurrë probleme me të, ashtu si me asnjë shok skuadre gjatë gjithë karrierës time.”

MURINJO – “Problemi kryesor që kisha te Reali ishte fakti që nuk kisha vazhdimësi, sidomos për shkak të dëmtimeve. Kam patur një raport të mirë me Murinjon. Do të kisha dashur të luaja më shumë, por ai preferonte Ozilin. Zhoze është një person i vërtetë dhe është pikërisht ai që shihni në ekran. Ka momente kur shpërthen, por është shumë inteligjent. Gjithçka që thotë në intervista e ka përgatitur më parë. Ai gjithmonë e di saktësisht se çfarë dëshiron dhe duhet të thotë. Kemi fituar një kampionat me të dhe arritëm në gjysmëfinalet e Champions Ligës.”

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *