Ka akord, 120 milionë për “bombën” e Barcelonës!

Barcelona nuk e ka ndërmend të ndalet të përforcohet. Eliminimi që i bëri Liverpuli në Champions i ka bindur drejtuesit që duhet me çdo kusht të transferojnë Antuan Grizman. Verën e shkuar ata e tentuan francezin dhe ishin gati të paguanin 100 milionë eurot e klauzolës që e largonte atë nga Atletiko e Madridit.

Gjithsesi sulmuesi anësor në fund vendosi të qëndrojë nën urdhrat e Simeones. Tanimë thuhet se ka zhvillime sërish në këtë pistë. Le Parisien raporton se ka një marrëveshje mes Grizman dhe Barcelonës.

Katalanasit do të paguajnë 120 milionë euro për kartonin e kampionit të botës. Aq është edhe klauzola e largimit aktualisht. Sulmuesi ka një kontratë deri në vitin 2023 me Atletikon, ndërkohë që thuhet se paga që i ka ofruar Barcelona është mjaft e lartë.

Flitet për një kontratë 3-vjeçare, prej së cilës vitin e parë në xhepat e futbollistit do të shkojnë 17  milionë euro neto. Vitin e dytë ai do të përfitojë 18 milionë, kurse në të fundit 19 milionë euro. Sikurse kuptohet, Grizman është objektivi kryesor i Barcelonës dhe sulmi ka nisur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *