Juventusi ka qenë me shumë fat këtë sezon, pasi nuk ka vuajtur shumë nga dëmtimet. “Zonja” ka një organikë të pasur lojtarësh dhe thuajse të gjithë kanë qenë në dispozicion të Alegrit. Megjithatë, në këtë fund sezoni, bardhezinjtë po shqetësohen nga një dëmtim i portugezit Zhoao Kanselo.
Ky i fundit bëri një sezon të shkëlqyer me Juventusin dhe konsiderohet si një nga mbrojtësit e krahut më të mirë në botë. Portugezi është i aftë të luajë në të dy krahët e mbrojtjes dhe në kampin bardhezi, shpresojnë që dëmtimi i tij të mos jetë serioz.
Juventusi konfirmoi në “Twitter” se Kanselo do t’i nënshtrohet një operacioni: “Skuadra do të pushojë deri ditën e premte, ndërsa Zhoao Kanselo do t’i nënshtrohet operacionit për një dëmtim në hundë”, shkruhej në njoftimin e kampionëve të Italisë.