Një mesfushor cilësor nuk i bën kurrë keq një ekipi pretendent. Aq më tepër Juventusit, që synon të formojë një kontingjent për t’u patur zili, me qëllim fitimin e gjithçkaje për sezonin e ri.
Katër janë emrat që gjenden në blloqet e Fabio Paratiçit. Fillojmë me Sergej Milinkoviç-Saviç. Drejtori sportiv i bardhezinjve e vlerëson 70-80 milionë euro dhe dëshiron të fusë ndonjë lojtar në tratativën me Lotiton për të ulur çmimin.
Presidenti i Lacios kërkon më shumë. Të bësh negociata me të është tmerrësisht e vështirë, por Paratiçi do tentojë deri në fund për të gjetur marrëveshjen.
Pol Pogba është kandidati i radhës. Juventus dëshiron ta rikthejë, por kampioni i botës kushton shumë. Reali e ka rritur ofertën deri në 120 milionë euro, ndërsa Mançester Junajtid kërkon 150 milionë euro.
Kalojmë te Adrien Rabiot. Kjo është tratativa më e thjeshtë, sidomos në aspektin ekonomik. Francezi është lojtar i lirë, pra nuk kushton. Ai vetë e ka pranuar se po negocion me kampionët e Italisë. Mjafton një telefonatë e Paratiçit dhe akordi arrihet menjëherë.
I fundit është Tanguj Ndombele. Rivaliteti për të është i madh. Presidenti i Lionit është shprehur se dëshiron t’ia japë Juventusit, por kjo është një lojë e tij. Aulas kërkon të hapë një ankand, që do të sillte rritjen e çmimit të kartonit të 22-vjeçarit.