Juventus po marshon në fushën e blertë, ku ka regjistruar 12 fitore dhe një barazim mes kampionatit dhe Champions-it. Nga ana tjetër, drejtuesit vazhdojnë punën në merkato në kërkim të elementëve të nevojshëm për përforcimin e skuadrës së Alegrit, por sidomos për të ardhmen. “Duhet të dimë të ndryshojmë, përpara se të detyrohemi ta bëjmë një gjë të tillë” ka thënë Andrea Anjeli dhe të gjithë po zbatojnë idenë e presidentit.
Siç citon “The Mirror”, bardhezinjtë janë vënë në ndjekje të 18-vjeçarit të Mançester Sitit, Fil Foden. Anglezi luan në rolin e mesfushorit dhe shihet si një nga talentët më të mëdhenj të klubit të Guardiolës dhe futbollit anglez. Kontrata e tij skadon në vitin 2020 dhe, nëse vendos të mos rinovojë, ai mund të transferohet në Torino për shumën e… 175 mijë sterlinave.
Pep Guardiola ka marrë kritika të mëdha për lejimin e largimit të Sanços drejt Dortmundit për 8 milionë euro, me këtë të fundit që po shkëlqen në Bundesligë. Spanjolli nuk mund t’i lejojë një tjetër autogol me Foden, por Juventus është gati ta veshë djaloshin bardhezi.
Përveç parave dhe blerjes së lojtarëve të mëdhenj, si rasti i CR7, Juventus ka treguar mjeshtëri dhe në marrjen e lojtarëve me parametra zero. Pirlo, Pogba, Kedira, Emre Çan dhe i radhës është Fil Foden.