Juventus dhe Milan do të përballen për finalen e Superkupës së Italisë, që do të zhvillohet jashtë vendit. Hera e dhjetë që një finale e tillë zhvillohet jashtë Italisë, ndërsa Liga Italiane e Futbollit ka vendosur datën e kësaj finale.
Sfida mes bardhezinjve të Alegrit dhe kuqezinjve të Gatuzos do të luhet me datë 16 janar të vitit të ardhshëm në Geda të Arabisë Saudite, në stadiumin “King Abdullah Sports City”, që ka një kapacitet prej 62 mijë vendesh. Një gjë e tillë është konfirmuar nga Liga e Serie A dhe GSA (Autoriteti i Përgjithshëm i Sporteve), që është agjencia qeveritare përgjegjëse për sportin në vendin saudit.
Finalja e Superkupës së Italisë është zhvilluar për herë të parë jashtë vendit në vitin 1993 në Uashington, më pas në Tripoli (2002), Nju Jork (2003), Pekin (2009, 2011, 2012), në Doha (2014, 2016) dhe në Shangai (2015). Juventusi vjen në këtë finale si fitues i kampionatit dhe Kupës së Italisë, ndërsa Milani si finalist i Kupës së Italisë, ndeshje që e humbi përballë bardhezinjve në Romë me rezultatin e thellë 0-4.
Të dy ekipet e kanë fituar nga shtatë herë Superkupën në historinë e tyre dhe tashmë do të masin forcat në Geda për të fituar këtë trofe për herë të tetë.