Pasi i rrëmbeu Kristiano Ronaldon Realit të Madridit, Juventusit iu hap oreksi këtë verë dhe mediat në Itali raportuan se klubi bardhezi po tentonte të joshte edhe brazilianin Marselo, i cili ndoshta do të dëgjonte edhe këshillën e mikut të tij Kristiano.
Në verë nuk u bë gjë, por sërish gazetat italiane dolën me tituj të tipit “Marselo te Juventusi në janar”.
Për këtë arsye, sot Marselo ka folur për Real Madrid Tv dhe ka qenë mëse i qartë: “Unë te Juventusi? Në rrjetet sociale qarkullojnë shumë budallallëqe dhe disa opinionistë besojnë gjëra që nuk ekzistojnë. Ndihem i motivuar sikur të isha Vinicius, i cili është 18 vjeç, dhe dua ta mbyll këtu karrierën”.
“Jam shumë i lumtur te Reali, njerëzit e dinë që kjo është shtëpia ime dhe kam kontratë deri në vitin 2022. Ky është klubi më i mirë në botë dhe unë dua të luaj gjithnjë për klubin më të mirë. Jam i kënaqur që po flas për këtë çështje, sepse ka pasur shumë zëra dhe nuk kam si të tregoj që dua të qëndroj dhe të jap gjithnjë maksimumin për Realin”, deklaroi mbrojtësi 30-vjeçar.