Ish-futbollisti i kombëtares shqiptare, Redi Jupi, komentoi sezonin e tanishëm të Kategorisë Superiore në studion e emisionit “Procesi Sportiv”.
Jupi u fokusua te sezoni i Partizanit që sipas tij ka ardhur si pasojë e një punë të shkëlqyer nga lojtarët, stafi dhe drejtuesit e klubit kryeqytetas.
“E gjithë situata po shkon në drejtim të Partizanit. Në fillim mendoja se Flamurtari kishte grupin më të mirë. Me largimet bëri mirë, me gjithë problemet që kishte. Kalendari ishte kundër, ikën lojtarë dhe janë të tretët. Partizani nuk është menduar asnjëherë se do shkonte 12 pikë para. Ua kam thënë këtë, duke parë problematikat e tjetra. Kukësi ka lojtarë të mirë, sikurse Teuta. Kjo nuk do të thotë se e meritojnë më shumë se Partizanit. Ata kanë bërë shumë mirë, lojtarët kanë dhënë më shumë seç pritej, stafi ka bërë mirë. Stabiliteti i klubit ka bërë që të ketë më pak gabime”.
“Drama të mëdha të futbollit tonë janë dobësimi i Tiranës, Partizanit në momente të caktuara, dhe zhdukja e Dinamos. Kukësi dhe Skënderbeu luanin me lojtarët e këtyre. Skënderbeu ka bërë mirë në këto 7 vite. Skënderbeu nuk i sjell futbollit shqiptar dot ato që këto klube i kanë dhënë futbollit shqiptar. Ata luajnë me të huaj ose me lojtarë të këtyre ekipeve. Skënderbeu nuk më duket aq i dobët. Përbërjen e kanë për 2-3 të parat. Nëse nuk do kishin pasur disa luhatje, do ishin lart. Me menaxhim të mirë mund të ishte rivale për titull dhe do i bënte mirë kampionatit”.
“Kukësi doli jashtë loje që kur ndërroi 4 trajnerë. Më thuaj një skuadër në botë që ka bërë ecuri të mirë duke ndërruar 4 trajnerë? Futbolli i bukur është mjet, jo qëllim. Me lojë të mirë ke mundësi të ftosh më shpesh. Pa pasur lojtarë është vetëvrasje të tentosh lojë të bukur. Kampionati është për t’u fituar. Të fitosh duke luajtur bukur është maksimumi. Nuk është se nuk më pëlqen loja e Partizanit”.