Redi Jupi ka një karrierë të pasur dhe ka qenë nga të paktët lojtarët të kampionatit shqiptar që në të shkuarën ftohej në kombëtare. Ish-mesfushori, tanimë është i angazhuar në nja akademi të krijuar prej vetë tij, “Football Republic”, ndërkohë që është prezent në ekranet shqiptare si specialist futbolli. Jupi së fundmi ka qenë i ftuar në emisionin “Mos i fol shoferit”, që transmetohet në “Ora News” dhe drejtohet nga Rudina Dembacaj. Aty ai ka folur për çështje, edhe jashtë futbollit.
DITA E PARË E STËRVITJES – “Isha 7 vjeç. Ishe kollaj të përfshiheshe dhe e kisha me qejf. Luanim nga mëngjesi në darkë, edhe në shkollë. Atëherë nuk na kërkonte njeri llogari nga shkonim, jo se nuk u interesonim (qesh)”.
SAKRIFICAT E FUTBOLLISTËVE – “Një sportist sakrifikon si çdo njeri që kërkon të ketë sukses. Shpenzohen 10-12 mijë orë pune. Çdo doktor i famshëm, çdo arkitekt i famshëm, punon shumë. Familja sakrifikon më shumë në rastin e futbollistëve”.
SYNIMET ME AKADEMINË – “Është investim pasioni, jo i mirëfilltë. Kjo bën që të tejkalohet kërkesa e tregut. Synoja ta mbaroja, kisha dhjetë vite që merresha me të. Kam kaluar në çdo zyrë të shtetit shqiptar, madje deri te e kryeministrit për shkak se është një projekt social. Kam mbjellë 1000 pemë dhe është projekt interesant. Nuk kam pasur asnjë pengesë, ishte e lodhshme. Nuk jam mësuar me zyrat. E dyta të ngre një shkollë futbolli dhe ia kemi dalë pas 6-7 muajsh. Objektivi tjetër është ta ngjit ekipin në Superiore. Kur ndodh, nuk e di. Kam 10 trajnerë, do bëj edhe ekip femrash. Femrat dua t’i përfshij edhe në drejtimin e ekipeve të moshave të vogla”.
AVENTURAT JASHTË VENDIT – “Kam luajtur në Turqi, Kroaci dhe Slloveni. Kulmin e pata në Turqi, ishin vitet e rëndësishme. Në Kroaci ia kam kaluar shumë mirë, ishim në bregdet. Ishte shumë bukur, nuk bëhej më mirë. Rrinim të gjithë në një hotel”.
TRAJNERI MË I MBIVLERËSUAR – “I vetmi që mund të thuhet ka qenë Panuçi. Pastaj u nënvlerësua, u legenos, se kështu e kemi ne. Është shumë e vështirë për t’i dhënë vlerësimin real”.
PIKANTET – “Idhull kam pasur Sulejman Demollarin, kur luaja me U17. Të brezit tim ishte Xhumba që më pëlqente, Haxhi. Trajneri i zemrës? Faruk Sejdini. Lojtari më i mirë në historinë e futbollit shqiptar? E ndaj në dy pjesë, pjesa që s’i kam parë. Thonë që ka qenë Panajot Pano, kam parë pamje dhe vërtetë janë gjëra të mëdha për një futbollist shqiptar. Nga ata që kam parë ka qenë Sulejman Demollari, dinamovit. Lojtari më mashtrues? Alban Rexhën, e mban mend? E kam pasur në ekip te Partizani. Ishte mashtrues i lezetshëm”.