Lajm i mirë për tifozët e Mançester Junajtid dhe trajnerin Solskjaer. Rinovimi me Markus Rashford ka ndodhur dhe sulmuesi anglez do të vijojë në “Old Trafford” deri në vitin 2023.
Kontrata e vjetër përfundonte verën e ardhshme, ndërsa rroga i ka shkuar në 300 mijë sterlina në javë nga 200 mijë që e kishte.
Rashford është që prej moshës 7-vjeçare pjesë e “Djajve të Kuq”, ndërsa me ekipin e parë ka shënuar 45 gola dhe ka dhuruar 26 asiste në 170 ndeshje të zhvilluara.
“Mançester Junajtid ka qenë gjithçka në jetën time, që prej kur erdha këtu në moshën 7-vjeçare. Ky klub më ka rritur si lojtar dhe njeri, kështu që është privilegj për mua sa herë vesh bluzën e Junajtid dhe zbres në fushë.
Dua të falënderoj Olen dhe stafin e tij për gjithçka kanë bërë për mua. Janë grupi perfekt i trajnerëve nga të cilët mund të mësosh. Dua të rritem dhe zhvillohem akoma edhe më shumë”, ishin fjalët e para të sulmuesit anglez pas rinovimit të kontratës.