Deontay Wilder mposhti këtë të shtunë me nokaut që në raundin e parë bashkëkombësin e tij Dominic Breazeale. Në intervistën e dhënë në fund të duelit, kampioni i botës në konfederatën “WBC” u shpreh se promotori dhe menaxheri i tij po punojnë për të siguruar një duel me Anthony Joshua-n ose Tyson Fury.
Megjithatë, gjasat janë që këto duele të shtyhen për në vitin 2020. Kandidati favorit për t’u ndeshur me Wilder është kubanezi Luis Ortiz, një kundërshtari ky që amerikani e njeh mirë pasi e ka mundur një vit më parë me nokaut në raundin e 10-të, gjithsesi Ortiz iu afrua shumë fitores gjatë raundit të 7, por Wilder përfitoi nga rënia e gongut. Humbja ndaj Wilder është e vetmja në karrierën e Ortiz.
Në konferencën për shtyp, Wilder la të hapur mundësinë e rikthimit në ring me Ortiz: “Përse të mos ndeshemi për herë të dytë ose tretë. Divizoni i peshave të rënda nuk ka shumë boksierë të zotë. Nuk arrij të kuptoj pse nuk po realizojmë dot luftimet e mëdha. Edhe nëse humbet ç’problem ka. Ngrihu përsëri dhe rikthehu më i fortë. Mua nuk më intereson rekordi i dueleve të mira. Po humba do më jepet mundësia që të bëhem kampion për herë të dy, siç kanë bërë para meje, Ali, dhe Tyson”.