Interi vendosi t’i hiqte shiritin e kapitenit Mauro Ikardit për t’ia kaluar atë portierit Handanoviç. Ky veprim i klubit nuk është pritur mirë nga sulmuesi dhe Uanda Nara, agjentja dhe bashkëshortja e lojtarit.
Ikardi nuk ka udhëtuar drejt Vienës, aty ku Interi do të përballet sot me Rapidin vendas. Ka qenë një vendim i vetë lojtarit, i cili nuk do të luajë as kundër Sampdorias në kampionat. 25-vjeçari ka një lëndim në kavilje dhe sot është paraqitur në ambientet e klubit për të parë gjendjen e këmbës së tij. Ai ka qenë i pari që ka shkuar në qendrën stërvitore dhe ka kryer stërvitjen me lojtarët që nuk janë grumbulluar për ndeshjen e Europës.
Rinovimi i kontratës mbetet një çështje e pazgjidhur. Sulmuesi përfiton për momentin një rrogë prej 4.5 milionë eurosh, ndërsa Nara kërkon një rrogë prej 10 milionë eurosh në kontratën e re. Interi mendon ndryshe dhe ofron deri në 7 milionë në sezon.
Duke parë raportin e thyer mes palëve, sulmuesi mund të përfundojë në merkato në fund të sezonit. Klauzola e largimit të tij për klubet jashtë Italisë është 110 milionë euro, e vlefshme për 15 ditët e para të muajit korrik.
Çelsi mbetet një nga klubet më të interesuara për shërbimet e argjentinasit, ndërsa në garë janë dhe Reali i Madridit e Juventusi. Fabio Partiçi e konfirmoi faktin që bardhezinjtë e pëlqejnë lojtarin dhe në rrjetet sociale kanë shpërthyer zërat e një shkëmbimi Ikardi-Diabala, por gjithçka mbetet në kuadër të hipotezave.
Për momentin lojtari është i acaruar me veprimin e klubit për t’i hequr shiritin e kapitenit, rinovimi është ende larg, por i sigurt është fakti që bomberi zikaltër nuk do të jetë i gatshëm dhe për ndeshjen e kampionatit kundër Sampdorias së Kualjarelës.