Kristof Piatek është zyrtarisht i Milanit, klub që ende nuk e ka mbyllur merkaton. Kuqezinjtë kërkojnë të bëjnë edhe përforcime të tjera, në mënyrë që mos të vënë në diskutim pjesëmarrjen në Champions Ligë.
Kuqezinjtë po mendojnë një tjetër përforcim për repartin ofensiv dhe i janë rikthyer pistës Janik Karrasko. 25-vjeçari është pjesë e Dalian Jifang dhe Milani ka rinisur negociatat me klubin kinez.
Belgu, i cili aktivizohet në dy krahët e sulmit, u transferua gjatë shkurtit të kaluar në Kinë, por tani dëshiron rikthimin në futbollin europian për të fituar përsëri një vend në kombëtare. Sipas “Sky Sport”, drejtuesit e Milanit po përpiqen të gjejnë formën e marrëveshjes së kalimit të Karraskos në Milanelo.
Nuk dihet akoma nëse akordi do të arrihet në formën e huazimit të lojtarit, apo blerjen e tij të plotë, por gjithçka do të zbardhet në 48 orët e ardhshme.